Edhe pse temperaturat kanë shënuar rënje drastike, dhe këto rënie janë tejet të theksuara në zonat sikur komuna e Sharrit, udhëheqësia lokale, saktësisht Drejtoria Komunale e Arsimit në Sharr, nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme në lidhje me këtë çështje.

Temperaturat e ulëta po e pengojnë dukshëm efikasitetin e mësimnxënjes në shkollat fillore nëpër fshatrat e komunës tonë.
Dukuria e mungesës së ngrohjes nëpër objektet shkollore është bërë traditë nga udhëheqësit komunal. Edhe pse e dinë që zona jonë njihet për temperatura të ulëta dhe stina e dimrit troket më herët e më fortë, prap se prapë çdo vit kemi përsëritje të situatës me të njëjtin problem.

Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! e Sharrit, duke ndarë shqetësimin me nxënësit dhe prindërit e tyre në lidhje me këtë çështje, kërkon nga DKA (Drejtoria Komunale e Arsimit) në Sharr të merren masat e nevojshme në lidhje me sigurimin e mjeteve të nevojshme për ngrohjen e objekteve shkollore, në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet normalisht, dhe që mos të shëndrrohen objektet shkollore si vend i problemeve shëndetësore që po u shkaktohen nxënësve nga kjo neglizhencë e tyre.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
22 tetor, 2018