Bashkëvendësi ynë Bekri (Bajram) Xhemali, është i doktoruari i radhës nga Opoja.

Ai më 08 prill 2024 ka mbrojtur me sukses të lartë punimin e doktoratës me titull “Cilësia fitosanitare përgjatë zinxhirit të prodhimit të domates dhe specit përmes një menaxhimi të integruar të sëmundjeve bakteriale të shkaktuara nga Xanthomonads”.

Gradën doktor shkence i bujqësis, Bekriu e ka arritur në Fakultetin e Pedagogjisë, Departamenti i Pedagogjisë Mjekësore dhe Psikologji Klinike në Departamentin e Shkencave të Jetës të Universitetit të Mondenës në Itali.

Mentor kryesor i doktoratës ka qenë Prof. dr. Emilio Stefani, ndërsa bashkë-mentor Dr. Davide Giovanardi. Dr. Bekri Xhemali është i lindur më 20 tetor 1988 në fshatin Bresanë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje ndërsa gjimnazin në Sharr.

Studimet universitare i ka kryer në Universitetin e Prishtinës – Dega e Mbrojtjes së Bimëve. Studimet postdiplomike (master për Menaxhimin e Integruar të Dëmtuesve) i ka vazhduar në Bari të Italisë pranë Institutit Bujqësor Mesdhetar të Barit, ku ka marrë titullin Master Shkencor në Menaxhimin e Integruar të Dëmtuesve.

Në Universitetin e Modenës në Itali, ka vazhduar studimet e doktoratës dhe ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës.

Dr. Bekriu është autor i disa punimeve shkencore dhe hulumtimeve nga fusha e mbrojtjes së bimëve të cilat i ka të botuara në revista prestigjioze ndërkombëtare.

Përveç gjuhës amtare e flet rrjedhshëm edhe anglishten. Për afro 8 vite punon si specialist i mbrojtjes së bimëve në Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë. Bekriu që nga viti 2010 jeton në Fushë Kosovë. Është i martuar me mësuesen Samire Krasniçi Xhemali dhe ka dy fëmijë.

©TVOPOJA