Filiz Mustafa, anëtari i VV-së ka publikuar në rrjetin social Facebook disa fotografi nga buxheti i Kosovës për vitin 2023 të shpërndara nga qeveria e Kosovës, ku pjesë e kësaj liste janë edhe disa projekte nga komuna e Dragashit.

Projekti i rrugës Xërxe-Pllajnik, rrugës Restelicë-Kufij me Maqedoninë, Bresanë-Bjeshkë dhe Ndërtimi i rrugës Kapre-Rrenc, projekte këto të cilat janë duke u realizuar në komunën e Dragashit, sipas tij, kryetari i komunës po manipulon me qytetarin rreth këtyre projekteve.

Më posht postimi i plot i tij në Facebook:

 

Si qytetar i asaj ane, pashmangshëm, kam ndjekur zhvillimet dhe tendencën sistematike për manipulim të opinionin publik të kryetarit të komunës së Sharrit, z.Bexhet Xheladini.

Keqmenaxhimin permanent me taksat e qytetarëve dhe dështimin e tij në qeverisje, po mundohet ta mbulojë duke tentuar të përvetësojë meritën për projektet që janë në realizim e sipër, e që janë projekte të financuara nga niveli qëndror, pra nga qeveria Kurti dhe ministritë përkatëse.

Kam kënaqësinë e madhe përveç se obligimin qytetar që tentim-manipulimet e kryetarit t’i demaskoj si në vijim:

1. Projekti i rrugës Xërxe-Pllajnik (foto 1)
Për këtë projekt, të nisur dekada më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës, në kodin buxhetor 15082 ka ndarë 150,000 euro për vitin 2023, duke mundësuar kështu që ky projek, që është shndërruar në një enigmë në vetvete, të merrë fund. Pra investim nga niveli qendror.

2. Ndërtimi i rrugës Restelicë-Kufij me Maqedoninë (foto 2)
Për këtë projekt, Qeveria e Republikës së Kosovës, në buxhetin e vitit 2023, në kodin buxhetor 19224, ka ndarë 200,000 euro. Pra, edhe ky investim, që po paraqitet me pompozitet si punë e ekzekutivit lokal, është financim nga niveli qendrorë.

3. Ndërtimi i rrugës Bresanë-Bjeshkë dhe Ndërtimi i rrugës Kapre-Rrenc (foto 3)
– Në kodin buxhetor, 16090, për rrugën Bresanë-Erëza-Kroi i Zgatarit-Guri Vesës, në buxhetin e vitit 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndarë 171,000 euro dhe ka planifikuar 150,000 euro për vitin 2024.
– Në kodin buxhetor, 16091, për rrugën Kapre-Rrenc, Qeveria e Republikës së Kosovës, në buxhetin e vitit 2023, ka ndarë 75,000 euro, si dhe në buxhetin e vitit 2025 ka planifikuar 75,000 euro tjera për përfundimin e tij.

Sikur të mos mjaftonin këto tendenca për mashtrime, kryetari dhe qeverisja e tij, është gjithashtu edhe diferencuese tejmase. Buxheti komunal i destinuar për vitin 2024, nuk përfshinë as 40% të fshatrave të komunës së Sharrit. Buxhet i koncentruar dhe i kalkuluar elektoralisht. Buxhet i bërë në zyre të LDK-së. Buxhet që nuk përfaqëson interesat dhe nevojat e qytetarëve. Ashtu sikurse vetë qeverisja. Mendësi zhvatëse e përbërë nga mujsharë shpërdorues.