Sot në sallën e Kuvendit Komunal në Dragash, grupi i grave asambliste organizoi një tubim me gratë e komunës së Dragashit me që rast u shpalosen iniciativat dhe aktivitetet që gratë asambleiste kanë zhvilluar dhe do t’i zhvillojnë në kuadër të Muajit Rozë për Ndërgjegjësimin lidhur me Kancerin e Gjirit.

Këto aktivitete kanë për qëllim vetëdijesimin e grave për diagnostifikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit, ndërsa pikërisht për këtë temë Dr. Sebahate Sylejmani Shala mbajti një ligjëratë sensibilizuese me gratë e Komunës sonë.

Pjesë e këtij tubimi ishin gra nga komuna e Dragashit, në mesin e tyre të punësuara në institucionet komunale, arsimore dhe shëndetësore, familjarët e dëshmorëve, si dhe qytetarë të tjerë nga komuna e Dragashit, pjesëmarrëse ishte edhe shumë e respektuara nga gratë dhe qytetaret e komunës së Dragashit, zonja Xhejrane Lokaj, e cila ka shërbyer për një kohë të gjatë në spitalin e Dragashit si infermiere, si dhe drejtoresha e qendrës për promovimin e të drejtave të grave, znj. Kadire Tahiraj.

Me një fjalë kryetari Xeladini falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit, ndërsa fjalën nuk e zgjati duke ua lënë rradhën organizatorëve, ndërsa kryesuesi i kuvendit dhe drejtoresha e DKRS-së u bënë apel grave të komunës që të mos hezitojnë nëse shohin diçka të dyshimtë, pasi gratë dhe vajzat i nevoiten familjes.

Në anën tjetër, zyrtarja për barazi gjinore si dhe ansambleiste tjera i uruan mirëseardhje gjinekologes në komunën e Dragashit e po ashtu e mbeshteten këtë iniciativë, ndërsa organizatorja e këtij takimi znj. Xhylferie Bahtijari Beqiri informoi më shumë për aktivitetet që do të organizohen gjatë këtij muaji.

Në fund, grupi i grave ansambleiste në bashkëpunim me kryetarin e komunës i ndanë mirënjohje motrës Xhejrana Lokaj, dhe në shenjë rrespekti të gjitha grave pjesëmarrëse iu dhuruan nga një varëse të cilat janë të punuara me dorë nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Takimi u përmbyll me ligjëratën e Dr. Sebahate Sylejmani Shala, e cila tashmë ka filluar punën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash dhe do të jetë pranë grave të komunës së Dragashit.

©TVOPOJA