Bashkëvendësi ynë Batjar (Xhevat) Halili, është i doktoruari i radhës nga Opoja. Ai më 21 mars 2024 ka mbrojtur me sukses të lartë punimin e doktoratës me titull “Sjellja përballuese dhe inteligjenca emocionale midis profesionistëve shëndetësorë në kontekstin e stresit të punës”.

Gradën doktor shkence i psikologjisë, Batjari e ka arritur në Fakultetin e Pedagogjisë, Departamenti i Pedagogjisë Mjekësore dhe Psikologji Klinike në Fakultetin e Shëndetit Publik “Prof. dr. Тzecomir Vodenicharov” të Universitetit Mjekësor të Sofjes (Bullgari). Mentore e doktoratës ka qenë prof. dr. Polina Ballkanska.
Dr. Batjar Halili është i lindur më 22 qershor 1982 në fshatin Zaplluxhe. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje ndërsa gjimnazin në Sharr. Studimet universitare i ka kryer në Universitetin e Tiranës – Fakulteti i Shkencave Sociale – Dega Psikologji Klinike. Studimet postdiplomike (master për psikologji klinike) i ka vazhduar po ashtu në e Tiranës – Fakulteti i Shkencave Sociale – Dega Psikologji Klinike, ku ka marrë titullin magjistër i Psikologjisë. Ndërkaq masterin për Psikologji arsimore e përfunduar në Universitetin e Tetovës.

Në Universitetin Mjekësor të Sofjes (Bullgari), ka vazhduar studimet e doktoratës dhe ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës.
Dr. Batjari është autor i disa punimeve shkencore dhe hulumtimeve nga fusha e psikologjisë të cilat i ka të botuara në revista prestigjioze në vendet e rajonit, Evropës, por edhe në Amerikë e Kanada. Përveç gjuhës amtare e flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe turqishten.

Për afro 16 vite ka punuar si profesor i lëndës së psikologjisë në disa shkolla të mesme si dhe kolegje publike e private në Republikën e Kosovës.

Një kohë të gjatë ka jetuar në Prizren kurse që nga viti 2022 është zhvendosur në Fushë Kosovë. Është i martuar me profesoreshën Manjola Brahaj Halili dhe ka tre fëmijë.

Pas përfundimit me sukses të doktoratës, Batjari në kohështrirjen e tij në facebook ka shkruar: “Çdo fillim e ka një fund. Dr. Sc!” (D. Reshiti)

Ta urojmë të gjithë,
Urime dr. Batjar,
Shëndet e suksese!