Nga raca e deleve dominon “Delja e Sharrit”, e cila është racë e produktivitetit të ulët, por kur krahasohet me Pramankën e Peshterit, Sjenicës dhe të Svrlinkut është më produktive.

Delja e Opojës i takon llojit të Deles së Sharrit, areali i së cilës shtrihet në tërë Malin Sharr si në Kosovë, Shqipëri (Kukës dhe Peshkopi) dhe në veri-perëndim të Maqedonisë. Pramenka e Sharrit është dele bishtshkurtër me prejardhje nga Muftani Evropian (lat. Ovis Musian) por edhe nga paraardhësi (lat. Ovis Vignei).

Si çdokund në Malet e Sharrit edhe Delja e Opojës nuk gjendet më si dele e pastër e Sharrit, por është fisnikëruar me Merinosin Gjerman (Delen e Virtembergut). Megjithatë delja meleze e opojës ka ruajtur cilësitë e deles autoktone të Sharrit si qëndrueshmërinë, hapin e gjatë, etj. Ndërkaq nga Merinosi Gjerman ka marr rritjen e pjellorisë, shtimin e sasisë së mishit, sasinë dhe cilësinë e leshit dhe shtimin e qumështit. Në Opojë kjo dele haset me emrin “Rude”. Gjate verës i shfrytëzon kullosat e larta të Sharrit dhe gjatë dimrit ushqehet në shtallë. Ka cilësinë e përshtatjes në kushte të varfra të ushqimit. Dallohet me leshin e saj cilësor, mishin e shijshëm, qumështin e trashë dhe me pjellën e hershme. Sasia e prodhimit të leshit është 1.3 – 1.5 kg te delet dhe 1.6 – 1.8 kg te dhentë. Fija e leshit arrin gjatësinë 11 cm, hollësia e saj është 35 μm me rreze 58%. Prodhimtaria e qumështit gjatë një lektacioni është 50 – 90 litër me rreth 6.5% yndyrë. Ka mish të cilësisë së lartë e në veçanti shquhet mishi i qengjit. Nga prodhimtaria e deles së opojës veçohet qumështi, kosi dhe djathi. Në veçanti Djathi i Sharrit që është shumë i njohur në treg.

Delja e Opojës kryesisht është dele e bardhë, me trup të zgjatur, me këmbë të gjata e të forta. Ka profil konveks, kryesisht është pa brirë ndërkaq deshtë janë kryesisht më brirë me përjashtime të vogla ku gjenden edhe desh pa brirë (shyt), kanë qafë dhe veshë të gjatë e të ngritur. Lartësia e Deles së Opojës është rreth 58 cm, thellësia e gjoksit është 26 cm, gjerësia 17 cm. Masa e gjallë trupore është rreth 32 kg te deshtë rreth 45 kg. Qengjat lindin me peshë mesatarisht prej 3 kg. Riprodhimi te Delja e Opojës fillon në moshën 18 muajsh, plleshmëria minimale është 102 qengja në 100 dele, ndërsa ajo maksimale deri 115%.

Delja e Sharrit krijon afërsi me bariun. Ajo e ndjek atë dhe e dallon zërin e tij, këtë e shfaq në blegërimë. Në të shumtën e rasteve tufa e deleve të Opojës udhëhiqen nga ogiçi (zakonisht ky dash me lesh të zi që nuk qethet dhe që mban kambanën). Ogiçi zakonisht qëndron prapa bariut.