Biznesmeni Opojarë Burim Piraj sot në një status në rrjetin social facebook ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për vendimin e marrë në rritjen e taksave për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja në 100 % taks.
Ai ndër të tjerash thotë se Kosova nuk është vetem një leckë në hartën e kontinentit Evropian dhe me këtë vendim pikë së pari i kthehet dinjiteti i vendit karshi politikës tinzare të Serbisë.

Statusi i Burim Piraj në Facebook :
Hera e parë që qeveria mori një vendim që u përkrah nga i gjithë populli po njëherësh ky vendim ka dhe anët pozitive pikë së pari në kthimin e dinjitetit të vendit karshi politikave tinëzare e dhelparake që Serbia i lanson në arenën ndërkombëtare, së dyti në kthimin e ndjenjës së Kosovarëve se edhe ne jemi dikushi dhe se nuk jemi një leckë në hartën e kontinentit Evropian.
Normal se nga ky vendim priten edhe efekte pozitive ekonomike që do të ndikojnë në ndryshimin e punësimit në vend.
Mirëpo kjo nuk mjafton për ti dhënë lavde qeverisë së tanishme për mirëqeverisje!
Kohë të gjatë vendi po ballafaqohet me reduktime të energjisë elektrike e qeveria bëhet si e verbër!
Kanë filluar ankesa të shumta nga biznese për pengesa si në doganë të Kosovës ashtu në shumë institucione të tjera.
Investime të huaja të drejtpërdrejta nuk kemi, duhet qeveria të pyes vetën e vetë: PSE?
Kosova nuk ka kapacitete që të ofroj punësim për të gjithë punëkërkuesit pa investime të huaja të drejtpërdrejta andaj kjo do të duhej të ishte një pikë shumë e rëndësishme e qeverisë dhe e të gjithë institucioneve të tjera.
Ende populli i Kosovës nuk ka sigurime shëndetësore!
Ende populli i vetëm në Evropë pa kartona të gjelbër!
Ende shumë monopole!
Ndërmarrjet publike i kemi para bankrotit!
” Me një lule nuk qelë Vera”
Ka shumë punë për ne të gjithë dhe nuk kemi kohë për të humbur e sidomos për Qeverinë!