Komuna e Dragashit me bjeshkë të pafundme, me florë e faunë të llojllojshme, me ujëra të bollshme, të pastër e të ftoftë, me vende të paprekura natyrore, me shtigje të shumta për ecje, me terrene atraktive për zhvillimin e sporteve dimërore e verore, për ekskursione e pikniqefamiljare, janë resurse të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit rural dhe natyror.

Komuna e Dragashit gjendet në pikën më jugore të vendit, në veri kufizohet me
Prizrenin, në lindje dhe juglindje me IRJ të Maqedonisë dhe në perëndim dhe jugperëndim me Republikën e Shqipërisë. Dragashi është e vetmja komunë e Kosovës që është plotësisht e vendosur brenda maleve me lartësi mbidetare prej 1000 deri 2800 m .

Sipërfaqja e komunës së Dragashit është 435km², që është 4% e tërë territorit të Kosovës, sidoqoftë komuna ka 17% të hapësirës së kullosave të Kosovës që është ndikimi i lartësisë, por gjithashtu është shenjë e mos zhvillimit të bujqësisë.

Statusi i parkut Kombëtar është i rëndësishëm për komunën e Dragashit, jo vetëm duke tërhequr turistë në këtë trevë, por edhe duke ndihmuar dhe mbështetur komunitetin lokal për të zvogëluar varfërimin e biodiversitetit, shpyllëzimin dhe degradimin e tokës.

Relievi i kësaj komune është kodrinor, malor dhe fushor, që shtrihet në lartësitë mbidetare minimale, prej 1000 metra në Bellobrad të Opojësdhe Orqushë të Gorës, deri në 1600 metra në Pllajnik të Opojës dhe Restelicë të Gorës. Ndërkaq, ajo e bjeshkëve të kësaj komune kalon mbi 2000 metra.