Prizren-  Eksperti Agim Sheqiri duke dhënë sqarime lidhur me ekspertizën financiare, ka theksuar se nga shuma totale prej 5 mijë e 313 euro që është paguar për operatorin “Menti”, shuma prej 4 mijë e 319 euro nuk ka pasur dokumentacion, për të konstatuar apo vlerësuar se në çfarë mënyre apo çfarë të drejte janë bërë këto pagesa për këtë operator.

Këto deklarime, eksperti Sheqiri i bëri të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj zyrtarit të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, i cili akuzohet për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Sheqiri fillimisht sqaroi se Komuna e Dragashit më 16 qershor 2015 kishte lidhur kontratë publike kornizë me operatorin ekonomik “LML-com” me vlerë prej 284 mijë e 500 euro dhe kjo kontratë ka pasur kohëzgjatje për një periudhë tri vjeçare, ku janë përfshirë 160 pozicione.

Eksperti tha se sipas analizës, rezulton se në vitin 2015, 2016 dhe 2017, Komuna e Dragashit për shërbimet e servisimit ka paguar për operatorin tjetër ekonomik “Menti” shumën në vlerë prej 5 mijë e 313 euro.

Ai shtoi se në këtë shumë të pagesës, hyjnë edhe dy pagesa, njëra në vlerë prej 480 euro dhe tjetra në vlerë prej 994 euro.

Këto shpenzime, sipas tij janë bërë përmes procedurave me vlera minimale, që nënkupton se autoriteti kontraktues ka pranuar ofertat, ka vlerësuar ofertat dhe ka përzgjedhë kontratkorin e suksesshëm dhe se këto dy pagesa ka konstatuar se kanë shkuar në procedurë të rregullt të prokurimit.

Eksperti Sheqiri deklaroi se prej shumës totale që është paguar për operatorin “Menti” prej 5 mijë e 313 euro, shuma prej 4 mijë e 319 euro, nuk ka pasur dëshmi apo dokumentacion për të konstatuar apo vlerësuar në çfarë mënyrë apo çfarë të drejte janë bërë këto pagesa për operatorin “Menti”.

Eksperti tha se për këtë shumën prej 4 mijë e 319 euro nuk është në përmbajtje me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive dhe ligjit për prokurim publik si dhe rregullores së thesarit nr.01/2013 për shpenzimin e parasë publike.

Ai tutje theksoi se çdo shpenzim në vlerë mbi 100 euro, sipas rregullave dhe ligjeve të cekura më lart nënkupton se fillimisht për shpenzime të tilla duhet të merren aprovime, duhet të udhëhiqen procedurat e prokurimit, të nënshkruhet një kontratë përfundimisht dhe shërbimet e servisimit të procedohen sipas kushteve të kontratës.

Tutje eksperti theksoi se paraja publike shpenzohet përmes dy moduleve, përmes moduleve të blerjes, që nënkupton se duhet të udhëhiqet detyrimisht një procedurë e prokurimit në përputhje me dispozitat e LPP, varësisht prej llojit, tipit dhe vlerës së kontratës.

Moduli tjetër tha se është ai zakonisht i shërbimeve komunale që nuk kërkohet të udhëhiqet procedurë e prokurimit, por është procedura e aprovimit, aty hyjnë shërbimet komunale- telefoni, rryma, si dhe shërbimet profesionale, etj.

Te moduli i blerjes, eksperti Sheqiri tha se fillimisht bëhet një kërkesë nga njësia kërkuese, aprovohet nga personi kompetent, personi i autorizuar apo zyrtari, më pas për procedimin e asaj kërkese nënshkruhet deklarata e nevojave dhe disponueshmërisë së mjeteve që nënshkruhet nga njësia kërkuese, nga zyrtari kryesor apo zyrtari i autorizuar – deleguar i tij dhe nga zyrtari kryesor financiar.

Tutje tha se përmes kësaj deklarate vërtetohet se ekzistojnë mjetet financiare dhe do të udhëhiqen procedura për zgjedhjen e kontraktuesit të suksesshëm nga zyra e prokurimit dhe kontrata duhet të nënshkruhet nga zyrtari përgjegjësi i prokurimit.

Po ashtu, ai tha se përgjegjësitë janë të ndara, zyrtari autorizues bën autorizimin apo aprovimin e pagesës, zyrtari zotues përmes sistemit të fribalancit zoton mjetet për shumën e aprovuar, më pas nxjerret urdhër-blerja në bazë të vlerës së zotimit që nxjeret nga menaxheri i prokurimit.

Sheqiri shtoi se urdhër-pagesa bëhet nga zyrtari i shpenzimit dhe më në fund pagesa aprovohet apo certifikohet nga zyrtari certifikues, që do të thotë secili e ka rolin e vet në një pagesë.

Eskperti Sheqiri tha se asnjë lloj e pagesave nuk mund të bëhet pa nënshkrimin e zyrtarit autorizues të pagesave në të dy modulet e pagesave.

Ai deklaroi se sipas urdhëresës së gjykatës lidhur me ekspertizën, nuk ka pasur autorizime që të vlerësojë shkeljet eventuale ligjore nga i akuzuari Avni Nebiu.

Në fund, në gjykim u tha se eksperti mundet që të bëjë plotësimin e ekspertizës sipas dokumenteve të nevojshme lidhur me këtu veprimet e të akuzuarit Avni Nebiu.

Për këtë, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi i dha një afat 10 ditor prokurorit që të sigurojë dokumentacionin përkatës për plotësimin e ekspertizës financiare.

Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë më 21 janar 2022.

Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.

Në aktakuzë thuhej se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.

Kështu që thuhet se i mundësoi djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohej se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djalit të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.