Shkrauar nga dr. prof. Hajriz Meleqi

Është vendbanimi më i skajshëm i Opojës, 12-13 km në verilindje të Sharrit. Territori i Zaplluxhës takohet me territorin e Komunës së Prizrenit.
Ky vendbanim shqiptar përmendet si Zaplluzhani në vitin 1327 në kartën e Stefan Deçanskit, po ashtu edhe më 1348 në kartën e Car Dushanit. Në Defterin kadastral osman të Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571 përmendet si “Gorna Zaplluzhan” ku kishte 21 çift-familje, 2 benak e 5 beqarë dhe “Dolina Zabluzhan” (12 çift-familje, 2 benak e 4 beqarë). Në regjistrin e Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591 Zaplluxhen e gjejmë po me të njëjtin emërtim ku “Gorna Zaplluzhan” kishte 22 çift – familje 6 benak e 5 beqarë ndërsa, “Dolina Zabluzhan” kishte 13 çift-familje, 1 benak dhe 8 beqarë.

Në bazë të shënimeve statistikore, Zaplluxhja në vitin 1865 kishte 42 shtëpi; më 1879 (40 shtëpi): më 1913 (552 banorë); më 1918 (73 shtëpi me 425 banorë shqiptarë); më 1921 (76 shtëpi me 470 banorë); më 1928 (66 shtëpi me 457 banorë); më 1948 (84 shtëpi me 667 banorë) ; më 1953 (83 shtëpi me 663 banorë); më 1961 (82 shtëpi me 666 banorë) ku është interesant paraqitja e një numri të madh të myslimanëve (rreth 132). Në vitin 1971 Zaplluxhja kishte 97 shtëpi me 967 banorë ku vetëm një është i deklaruar mysliman; në vitin 1981 kishte 123 shtëpi me 1273 banorë – vetëm 3 të deklaruar mysliman dhe në vitin 1991 kishte 63 shtëpi me 1521 banorë. Të deklaruar si mysliman ka edhe në fshatrat tjera. Këta janë individ që nuk dinë të bëjnë dallimin nëmës përkatësisë kombëtare dhe asaj fetare, përndryshe edhe ata janë shqiptarë.

Literatura serbe flet për themelet e një kishe të rrënuar në Zaplluxhe. Nuk ka dyshim se kjo kishë po edhe të gjitha të tjerat kanë qenë kisha shqiptare e kurrsesi kisha sllave, siç pretendojnë autorët serb.
Zaplluxhja shtrihet në rrëzë të Malit Sharr, në vendtakimin e sipërfaqeve fushore, pyjore dhe të kullosave malore, në lartësinë mbidetare 1170 m. Për nga lartësia është vendbanimi i tretë në Opojë, pas Pllajnikut dhe Xërxës. Sipërfaqja e territorit të Zaplluxhës është 13,14 km2 dhe është i fshati i dytë, pas Bresanës. Zaplluxhja ka 171 shtëpi dhe 1627 banorë (1998). Sipërfaqja e arave është 200 ha, e livadheve 117 ha,e kullosave 580 ha e pyjeve 374. Pasuritë e pyjeve, kullosave, ujërave dhe lidhjeve rrugore i japin fshatit pozitë të përshtatshme gjeografike. Në krahasim me numrin e popullsisë ka pak tokë pune.

Zaplluxhja i takon tipit të grumbulluar të fshatit, mëhallët e të cilit janë relativisht larg njëra tjetrës si: Zaplluxhe (Mëhalla të Xhamia), Rrihnak (Rronak) dhe Tumqinë. Mëhallën te Xhamia e përbëjnë fiset e krijuara nga vllazëritë: Karagjyst, Qamerët, Zenllarët, Çadelet. Në shënime të më hershme përmendet edhe fisi Shehajt. Fiset që e përbëjnë Rronakun janë: Muhallaret dhe Hasallarët. Në Tumqine sipas shënimeve më të vjetra janë fiset: Dana (Kaçanikët) dhe Hamzaga. Aktualisht janë: Kaqanikët, Hoxhallarët dhe Rrustemi.
Toponimet që i hasim në territorin e fshatit janë: Lukthi, Teshiast, Soishta, Kujthet, Prroji Lezit, Livadhi Hoxhës, Ogradet, Qafa, Rrafshlivadhja, Rrëzhana, Luget e Jesës, Kujmulleza, Kisha, Struganica, Lojëza, Guri i Leprit, Mushtekna, Rudina, Kuji Midisëm, Begjenia, Rraha, Zanoga, Brezhda Bathishtëza, Lithia, Çarri, Dritëza, Kësulëza, Mishtia, Theksina, Ligata, Kamza, Mali i Madh, Guri i Qobanit, Tebzas, Livadhi Madh Livadhet e Rutës, Livadhet e Çadelit, Vërrishta, Arat e Gata, Grahota Guri Kuq, Batall Bunari, Myskepoja, Presllopi Kroji Mretit, Masllari, Gur Zi, Guri Shpesh, Mllaka Xhaferit, Shtava, Kroji Lekës, Kroji Landës, Brinja, Gropast, Ugarët etj.
Mëhalla të Xhamia shtrihet në tarracën fluvioglaciale, në anën e djathtë të Lumit të Zaplluxhës, i cili paraqet rrjedhjen e epërme të Lumit të Opojës. Rronaku dhe Tumçinja shtrihen në të dy anët e luginës së lumit Toma e Visë.
Zaplluxhja ka shkollën fillore katër (4) klasëshe, xhaminë dhe disa dyqane tregtare dhe zejtare.