Mekanizmi konstruktiv, që prej mbi 10 vitesh, me sukses e përpunon edhe sot e kësaj dite vrimën e motorit (që e mundëson shpejtësinë e sigurt deri mbi 330km/h), është konstruktuar nga Faton Piraj, shqiptari nga fshati Plavë e Opojës së Dragashit.

Faton Piraj jeton në Vjenë të Austrisë. Ai ka studiuar Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe punon në industrinë e veturave luksoze.
Piraj është modest për shpikjen, të bërë që para 10 viteve, dhe me krenari e thotë fjalinë “Atdhetar mund të bëhesh edhe ndryshe”.
Cili ishte shpikja për motorin e “Porshe”-së, që e zbuloi ai?
“Motori i veturave moderne “Porsche” e ka një vrimë të shkallëzuar, në të cilën është i pozicionuar boshti i kollodokut (boshti ku lidhen manivelat e pistonave të motorit).

Kjo vrimë, që përbëhet nga disa pjesë, ka saktësinë (tolerancën) aksiale e cilindrike nën 0,005 mm, pra nën 5 të mijtat e milimetrit (saktësi shumë e lartë shkaku i rrotullimeve të larta të motorit me mbi 6700 rrotullime në minutë).

Për ta hapur dhe përpunuar këtë vrimë nuk mjaftonin kushinetat (llagerat) standarde e as ato speciale mekanike, ku do të vendosej vegla boshtore gdhendëse, shkaku i saktësisë së tyre të pamjaftueshme (mbi 0,005mm)”, thotë inxhinieri Piraj.

“U deshtë pra shpikja dhe vetë-konstruktimi i ca kushinetave hidraulike për ta arritur këtë saktësi shkencore. Sfidë e rëndë shkencore dhe tensione të larta nervash, para se cilës gati se u patën dorëzuar stafi udhëheqës i “Porsche”-s.

Ngadhënjimi i kësaj sfide e përmirësoi “jetën” e veturës së sotme moderne “Porsche” (çmimi i saj është mbi 250.000 Euro). Një sfidë tjetër ishte edhe shuarja e dridhjeve të veglës, që i shkaktonte materiali jo i bollshëm në ato pjesë” sqaron tutje Piraj.

I tërë ky sukses për të nuk ka ndonjë “efekt” të madh, por ai me dashuri e krenari e thotë se: “Shqiptaria është e PARA që duhet përkrahur. Në bazë të sajë ne edhe mund të ekzistojmë dhe të punojmë. Pa të mund të jemi gjithçka, por kurrë krenar”.