Artan S. Mehmeti studiues dhe profesor i gjeografisë sjell përpara nesh studimin me temë: VLERËSIMI I PELLGUT UJËMBLEDHËS TË PLLAVËS DHE MODELIMI I PËRMBYTJEVE.

Ky studim pritet te botohet shumë shpejt e njëherit do të jetë botimi i dytë i këtij autori.

Pjesë nga ky studim:

Punimi ka për qëllim vlerësimin e pellgut ujëmbledhës të Pllavës me anën e GIS-it, studimin dhe analizën e mundësive të përmbytjeve përgjatë gjithë shtratit të lumit të Pllavës, si dhe përcaktimi i masave parandaluese, në mënyrë që të këtë sa më pak dëme ekonomike gjatë përmbytjeve në këtë pellg.

Me qëllim, që të pasqyrohet sa më saktë, se cili është risku nga ky fenomen natyror është bërë një vlerësim i pellgut ujëmbledhës të Pllavës, duke analizuar me hollësi kushtet natyrore, veçanërisht ato që ndikojnë drejtpërsëdrejti në shfaqjen e përmbytjeve.

Gjatë punimit të këtij studimi janë përdorur të dhënat e siguruar në terren dhe nga literatura që ka ofruar të dhëna të drejtpërdrejta apo të tërthorta për këtë hapësirë gjeografike. Për çdo pjesë të këtij punimi janë ndërtuar edhe hartat përkatëse, si atë Gjeologjike, Ekspozicionin e terrenit në 3d, Hipsometrike, etj. Duke u mbështetur në të dhënat klimatike dhe hidrologjike, vlerave të erozionit, të shoqëruar me hartat përkatëse  është bërë edhe vlerësimi se sa është i rrezikuar territori i komunës së Dragashit nga përmbytjet që mund të vijnë nga ndërtimi i ujëmbledhësve për furnizimin e hidrocentralit e Zhuri-t, që parashihen të ndërtohen në hapësirën e pellgut të lumit të Pllavës.

Si përfundim të gjithë këtij studimi, autori thekson se duke ju falënderuar faktorëve natyror si: relievi kodrinor-malor, pjerrësia e shtratit të lumit, sasia e prurjeve dhe shpejtësia e rredhjes së lumit, bëjnë të mundur që banorët e fshatrat që gjenden pranë rrjedhjeve lumore të mos rrezikohen nga përmbytjet. Edhe pse pellgu i lumit të Pllavës nuk rrezikohet nga përmbytjet kjo nuk do të thotë që lumi i Pllavës nuk duhet të mirëmbahet, pasi shtrati i tij është kthyer në depo mbeturinash nga më të ndryshmet dhe për fat të keq nuk pastrohet fare. Nuk përjashtohet mundësia e përmbytjeve nëse do të këtë reshje më të mëdha pasi, këto reshje vështirë se mund të përballohen nga shtretërit e lumenjve të zënë nga mbeturinat.

Po ashtu edhe ndërtimi i hidrocentralit të planifikuar të Zhurit do të këtë pasoja të mëdha mjedisore për komunën e Dragashit, si zënjën e një hapësire të madhe  tokësore, ndryshimin e mikro klimës së këtij rajoni, ndryshimin e shumë rrjedhjeve lumore, ndryshime në kushtet fiziko-kimike të tokës, si dhe zhdukjen e specieve bimore në zonën e projektimit si dhe të specieve shtazore në mënyrë të drejtpërdrejt në një hapësirë prej 560 hektarësh, ndërsa ndikimin e tërthortë në zonë më të gjerë ngelet për t’u studiuar. Pasojat me të mëdha do të ndihen në rajonin e Opojës.
Libri do të botohet nga Shtëpia Botuese Armagedoni

©TVOPOJA