Janë bërë mbi dy muaj prejse laboratori i analizave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytetin e Sharrit është jashtë funksionit. Jo sepse ka ndonjë problem me aparaturën e funksionin teknik të tij, por për shkak të keqmenaxhimit institucional lokal.

Nga padituria apo qëllimi, ose nga të dyja këto, Drejtoria e Shëndetësisë, me urdhër nga ekzekutivi lokal, nga kryetari lozonjar, z.Xheladini, kanë filluar ekzekutimin e një kontrate për renovimin e objektit të QKMF, me ç’rast për çudi e kanë planifikuar në atë mënyrë që të bllokojnë funksionimin e pjesës së laboratorit të analizave.

Dje, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, shefi i grupit të asambleistëve të grupit tonë në Kuvendin Komunal, Dr. Jetmir Ajdini, ka bërë disa pyetje për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, që ndërlidhen me këtë kontratë e cila siç duket do ta ketë përfundimin në organet kompetente të drejtësisë për hetim.

Për qytetarin llogaridhënia është e shenjtë. Për ne interesat e qytetarëve janë të shenjta. Prandaj do të kërkojmë llogari e do të denoncojmë secilin keqpërdorim të kësaj qeverisjeje lokale keqpërdoruese.