
Kryetari i Shoqatës së Afaristëve “Sharri”, Shpetim Kamberi, si pjesë e delegacionit të Komunës së Dragashit të udhëhequr nga kryetari Bexhet Xheladini, ka zhvilluar një sërë takimesh zyrtare me përfaqësues të dhomave të biznesit në rajonin e Kocaelit, Turqi. Gjatë vizitave në Odën Industriale të Kocaelit dhe Odën Tregtare të Gebzes, fokusi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe hapja e rrugëve për investime të reja.
Qëllimi i këtij angazhimi ishte prezantimi i potencialit të madh që ofron Dragashi dhe shqyrtimi i mundësive për tërheqjen e investitorëve turq, me theks të veçantë në sektorët e prodhimit, industrisë, bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit.
Përmes këtyre takimeve, Shoqata e Afaristëve “Sharri” synon të ndërtojë ura të forta bashkëpunimi mes bizneseve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ky hap i rëndësishëm pritet të ndihmojë në kthimin e resurseve të komunës në investime konkrete, duke hapur vende të reja pune dhe duke i dhënë një shtytje të qëndrueshme zhvillimit ekonomik të trevës sonë.
©TVOPOJA