
“Klubi i Kuajve Opoja – Bresanë” ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në garat e kalërimit të mbajtura më 24 tetor në Fier të Shqipërisë. Kali “Vazir”, i cilësuar nga klubi si “Mbreti i Pistës”, ka arritur të fitojë vendin e parë, duke e mbrojtur titullin e kampionit për të 9-ën herë radhazi.
Suksesi i klubit u plotësua edhe më tej me kalin “Dokata”, i cili arriti të sigurojë vendin e tretë në këtë garë. Ky triumf mban vulën e punës së trajnerit të dëshmuar Behar Salihu dhe përkushtimit të pronarit Muhidin Aslani.
Përtej titujve dhe medaljeve, përfaqësuesit e klubit theksuan se ky sukses i jashtëzakonshëm është dëshmi e pastër e pasionit dhe traditës. Duke falënderuar mbështetësit dhe tifozët, ata rikujtuan se dashuria për këtë sport në Opojë nuk është e rastësishme, por një trashëgimi e kahmotshme që po ruhet dhe po kalon me krenari brez pas brezi.
©TVOPOJA