Të mundësohet një e drejtë elementare qytetare, ajo e qarkullimit

Reshjet intensive të borës gjatë këtyre ditëve në njërën anë dhe mosangazhimi institucional lokal në anën tjetër për ndërmarrjen e masave të nevojshme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, janë bashkëdyzuar dhe janë ndërlidhur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar kështu një gjendje katastrofale të rrugëve në shumicën prej fshatrave e rrjedhimisht edhe vështirësi të mëdha qarkullimi të qytetarëve të zonës tonë.

Dihet botërisht se tek zonat ku lartësia mbidetare është e lartë, siç është rasti me zonën tonë në Sharr, dimrat presupozohet të jenë të ftohtë dhe me reshje të shumta bore. Dhe, paralelisht me këtë informacion, do të ishte ideale por dhe e domosdoshme një përgatitje e mirë paraprake nga institucionet përkatëse. Por, institucionet tona lokale, as që duan t’ia dijnë për këtë fakt.

Rrugët kryesore të fshatrave janë bërë thuajse të paqarkullueshme, ndërsa ato të lagjeve do të ishin tërësisht të paqarkullueshme, nëse për mirëmbajtjen e tyre do të pritej reagimi nga kompania që ka kontraktuar komuna për këtë gjë (e që realisht kështu do duhej të ishte), po të mos ndohte ky organizim i jashtëzakonshëm i qytetarëve të lokaliteteve përkatëse.

Ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr mbështesim dhe iu bashkangjitemi aksioneve të banorëve për hapjen e rrugëve (aktivistët tanë në lokalitetet përkatëse), por njëkohësisht kërkojmë nga organet kompetente marrjen e masave të menjëhershme lidhur dhe mundësimin e qarkullimit të rregullt të qytetarëve.
Komuna nuk duhet vetëkënaqur me këtë organizim të qytetarëve. Në fakt për ta, ky organizim duhet të jetë një tregues e rikujtues për dështimin e tyre ndër tjerash e në vecanti në këtë aspekt (të pastrimit të rrugëve nga dëbora).

Le të mos kontraktohen kompani të cilat nuk kanë kapacitete organizative për t’i mirëmbajtur rrugët e qytetit dhe fshatrave tona përgjatë stinës së dimrit. Le të mos jenë nepotizmi dhe përcaktimi partiak, kriteri kryesor në përzgjedhjen e tyre, siç edhe është duke ndodhur. Është një nevojë shumë elementare qarkullimi i njerëzve dhe mjeteve qarkulluese të tyre. Në fakt është jetike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Sharr,
6 shkurt, 2020