
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Dragash ka dalë me një sqarim publik për opinionin pas reagimeve të fundit nga degët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke bërë të ditur se procesi mësimor po zhvillohet normalisht në të gjitha institucionet arsimore të komunës.
Sipas DKA-së, pretendimet për mungesë të përgjithshme të ngrohjes apo ndërprerje të mësimit në nivel komune nuk qëndrojnë. Lidhur me rastet e apostrofuara, drejtoria sqaron se në SHFMU “Sezai Surroi” në Bellobrad ka pasur një defekt teknik në kaldajë, mirëpo ngrohja e hapësirave është siguruar përmes rrugëve alternative, duke mundësuar vazhdimin e mësimit pa humbje orësh.
Ndërkaq, sa i përket çerdhes pranë shkollës në Dragash (për grupmoshën 3–5 vjeç), DKA konfirmon se procesi është ndërprerë për dy ditë për shkak të vonesës në furnizimin me pelet. Institucioni thekson se ky ishte një rast i izoluar që nuk pasqyron gjendjen e përgjithshme në shkollat e tjera.
Sa i përket furnizimit, menaxheri i kontratës ka konfirmuar pranimin e kontingjentit të parë të peletit. DKA garanton se të gjitha shkollat e Komunës së Dragashit kanë sasi të mjaftueshme të lëndëve djegëse (dru, pelet dhe naftë) për të mbuluar të gjithë sezonin e ngrohjes.
Më tej, Drejtoria e Arsimit u ka bërë thirrje subjekteve politike që të abstenohen nga politizimi dhe përgjithësimet e paverifikuara për çështje që lidhen me nxënësit. Në përmbyllje, DKA ka veçuar edhe vazhdimësinë e projektit për transportin falas të nxënësve për të tretin vit me radhë, si një lehtësim të drejtpërdrejtë për familjet e kësaj komune.
©TVOPOJA