
Komuna e Dragashit ka përmbyllur sot procesin e organizimit të dëgjimeve buxhetore për Draftin e Buxhetit Komunal 2027. Gjatë dy ditëve të fundit, ekzekutivi lokal ka mbajtur dy dëgjime të hapura, ku janë ftuar grupet e nënpërfaqësuara – gratë dhe vajzat, personat me nevoja të veçanta, përfaqësues nga komuniteti joshumicë – si dhe këshillat e fshatrave, OJQ-të, bizneset, klubet kulturore e sportive dhe grupe të tjera të interesit.
Prezantimin e dokumenteve buxhetore dhe planifikimet për vitin e ardhshëm e bënë kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, dhe drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik, z. Qamil Kolloni. Për buxhetin e komunitetit joshumicë dha sqarime shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, z. Uzair Hamza, ndërsa të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit, përfshirë nënkryetarin për Komunitete, z. Fejsal Halilović.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë kërkesat dhe propozimet e tyre, të cilat do të përfshihen në një raport të detajuar nga Grupi Punues për Organizimin e Dëgjimeve Buxhetore. Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë për interesimin dhe angazhimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e planifikimit të përbashkët buxhetor si një proces transparent dhe gjithëpërfshirës për vitin 2027.
©TVOPOJA