
Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Komuna e Dragashit do të përfitojë 1 milion e 865 mijë euro për realizimin e projektit të Banimit Social Adekuat.
Sipas ministres Pacolli, për këtë projekt është nënshkruar Marrëveshja e Grantit me kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Me këtë marrëveshje parashihet realizimi i gjithsej 42 njësive të banimit. Nga to, 20 njësi të reja do të ndërtohen, 20 shtëpi private do të renovohen, ndërsa 2 shtëpi do të rindërtohen.
Ministrja Pacolli ka bërë të ditur se përmes këtij projekti, për herë të parë Dragashi do të krijojë stokun e banimit social, me synim përmirësimin e drejtpërdrejtë të kushteve të jetesës për familjet e cenueshme, përfshirë edhe familje nga komunitetet jo-shumicë.
Investimi prej 1.865 milionë eurosh synon të krijojë kushte më të përshtatshme dhe të sigurta të banimit për familjet përfituese në Komunën e Dragashit.
©TVOPOJA