
Mungesa e ujit të pijshëm në qytezën e Dragashit gjatë ditëve të fundit ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike, ndërsa Komuna e Dragashit thotë se shkak kryesor është thatësira dhe përgjysmimi i prurjeve në lumin Radeshë. Përballë kësaj, opozita dhe zëra të tjerë kërkojnë përgjegjësi për investimet milionëshe në sistemin e ujësjellësit.
Qyteza e Dragashit po përballet prej ditësh me probleme serioze në furnizimin me ujë të pijshëm, në një periudhë kur temperaturat e larta dhe ardhja e një numri të madh të bashkatdhetarëve kanë rritur ndjeshëm konsumin.
Situata ka shkaktuar shqetësim te banorët dhe bizneset, ndërsa mungesa e ujit është kthyer në një prej temave kryesore të debatit publik në komunë.
Asambleisti i PDK-së në Dragash, Artan Loshaj, më 4 gusht kritikoi ashpër qeverisjen lokale, duke kërkuar përgjegjësi për gjendjen e krijuar. Loshaj tha se qytetarët e Dragashit po përballen me mungesën e një nevoje elementare dhe akuzoi komunën se furnizimi me ujë po devijohet drejt fshatrave, ndërsa qyteza mbetet pa ujë.
“Qytetarët e Dragashit nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Ata meritojnë furnizim të rregullt me ujë, sepse uji është e drejtë themelore, jo privilegj”, deklaroi Loshaj.
Të nesërmen, më 5 gusht, Komuna e Dragashit reagoi përmes një komunikate, duke thënë se situata nuk është shkaktuar nga neglizhenca institucionale dhe se Komuna nuk ka reduktuar sasinë e ujit të marrë nga lumi Radeshë për fabrikën e trajtimit të ujit në Dragash.
Sipas komunës, përkeqësimi i furnizimit është rezultat i disa faktorëve, përfshirë rritjen e konsumit gjatë temperaturave të larta, shtimin e numrit të bashkatdhetarëve gjatë sezonit veror dhe zvogëlimin e prurjeve në lumin Radeshë për shkak të thatësisë së zgjatur.
Komuna ka theksuar gjithashtu se përgjegjës për menaxhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit është KRU “Hidroregjioni Jugor”, Njësia Operative në Dragash, ndërsa ka mohuar çdo ndërhyrje të saj në reduktimin e ujit për qytezën.
Në anën tjetër, afaristi Burim Piraj e cilësoi situatën si të papranueshme, duke rikujtuar se në Dragash është inauguruar këtë vit fabrika e re e përpunimit të ujit dhe se janë realizuar projekte për furnizimin e fshatrave.
“Kurrë nuk ka pasur problem me furnizim me ujë qyteza e Sharrit. Sivjet u inaugurua fabrika e re për përpunimin e ujit dhe kyçja e shumë fshatrave, për fshatrat u bë zgjidhje e furnizimit me ujë të pijshëm, por qyteza e Sharrit po ngelet pa ujë”, shkroi Piraj, duke e cilësuar situatën si “dështim total të qeverisjes lokale”.
Ndërkohë, një tjetër zhvillim ka ardhur nga fshati Breznë. Kryesia e fshatit, më 6 gusht, njoftoi banorët se pas bashkëpunimit me kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini, dhe përfaqësues të Hidroregjionit, është siguruar furnizim i qëndrueshëm me ujë edhe gjatë kësaj periudhe.
Kryesia u ka bërë thirrje banorëve që ujin ta përdorin me kujdes dhe vetëm për nevoja të domosdoshme, duke paralajmëruar se shpenzimi i tepërt mund të ndikojë në furnizimin e rregullt.
Ky njoftim është përdorur nga kritikët e komunës si argument për pretendimin se furnizimi në fshatra është më i qëndrueshëm sesa në qytezë, ndërsa Komuna e ka mohuar se po redukton furnizimin e Dragashit në favor të fshatrave.
Në një apel të publikuar më vonë, Komuna e Dragashit tha se ka kryer verifikim në terren në Fabrikën e Përpunimit të Ujit, Veprën e Marrjes dhe koagulatorin e Dragashit, për të parë nga afër gjendjen e sistemit.
Sipas komunës, konstatimi është se sasia e ujit të dedikuar për Dragashin nuk është reduktuar, por përkundrazi është shtuar.
Komuna thotë se problemi kryesor është zvogëlimi rreth 50 për qind i prurjeve në lumin Radeshë, si pasojë e thatësirës, ndërsa në të njëjtën kohë konsumi është rritur ndjeshëm.
Institucioni lokal ka bërë të ditur se prurjet drejt fabrikës së re janë reduktuar në maksimum dhe se një reduktim i mëtejshëm, sipas tyre, do të mund të shkaktonte futjen e ajrit në filtra dhe bllokimin e fabrikës.
Për këtë arsye, Komuna u ka bërë apel qytetarëve që furnizohen nga fabrika e re të kursejnë ujin dhe të shmangin përdorimin e tij për larjen e oborreve, ujitjen e kopshteve dhe nevoja të tjera jo të domosdoshme.
Po ashtu, është kërkuar nga familjet që kanë rrjedhje apo defekte në instalimet e ujësjellësit që t’i sanojnë ato sa më shpejt.
Mungesa e ujit ka prekur edhe bizneset e qytezës. Afaristi Abdurrahman Piraj, i cili merret me gastronomi në Dragash, reagoi më 7 gusht me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Në vend se komuna me rregullue WC publike, na pamundëson edhe neve privatëve me i përdor ato. Kryetar, dona uj. Uji është jetë.”
Sipas bizneseve, mungesa e ujit paraqet problem jo vetëm për familjet, por edhe për funksionimin normal të lokaleve, gastronomisë dhe shërbimeve në qytezë.
Në debat është përfshirë edhe Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Sharr, e cila e ka ngritur çështjen e investimeve në infrastrukturën e ujësjellësit.
Në reagimin e saj me titullin “Qytetarët pa ujë, milionat pa llogari!”, LVV ka pretenduar se për projektin e ujësjellësit janë lidhur katër kontrata me vlera milionëshe dhe ka kërkuar sqarime rreth investimeve dhe funksionimit të impiantit.
Subjekti politik ka kërkuar përgjigje për pyetjet se pse qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë uji, kush mban përgjegjësi për gjendjen aktuale dhe si janë menaxhuar fondet e investuara.
Ndërkohë, Nexhmidin Sejdilar ka ngritur po ashtu pyetje rreth investimeve në sistemin e ujësjellësit, duke iu referuar një shume prej rreth 5 milionë eurosh dhe duke kërkuar që Komuna të japë llogari për mënyrën se si janë shpenzuar këto mjete.
Shifra dhe pretendimet e opozitës dhe kritikëve të qeverisjes lokale kërkojnë verifikim përmes dokumenteve zyrtare të kontratave dhe investimeve publike.
Në reagimin e tij të fundit, Artan Loshaj e ka ashpërsuar gjuhën ndaj Komunës, duke e cilësuar situatën si “padrejtësi” ndaj qytetarëve të qytezës.
Ai ka deklaruar se qytetarët janë revoltuar dhe se, nëse situata vazhdon, mund të dalin në protestë për të kërkuar zgjidhje dhe përgjegjësi institucionale.
Nga ana tjetër, Komuna e Dragashit thotë se uji nuk është çështje politike, por nevojë jetike dhe përgjegjësi e përbashkët, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për gjetjen e një zgjidhjeje.
Përtej përplasjeve politike, problemi mbetet konkret për banorët: furnizimi i pasigurt me ujë në një periudhë të temperaturave të larta dhe konsumit të shtuar.
Komuna u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për kursim dhe solidaritet, ndërsa qytetarët kërkojnë që investimet e bëra ndër vite në sistemin e ujësjellësit të garantojnë atë që konsiderohet nevojë themelore, ujë të pijshëm dhe furnizim të qëndrueshëm.
Debati tashmë nuk është vetëm për mungesën e ujit, por edhe për funksionimin e sistemit, menaxhimin e burimeve, investimet publike dhe përgjegjësinë institucionale.
©TVOPOJA