
Shërbimi i Zjarrfikësve në Dragash u bën apel qytetarëve për kujdes të shtuar, pas zjarreve fushore dhe malore që ditëve të fundit kanë rrezikuar prona dhe pasuri të qytetarëve.
Pas një periudhe të qetë dhe pa raste të mëdha zjarresh gjatë javës së fundit, sot Komuna e Dragashit është përballur me një zjarr të përmasave të mëdha në zonën e Mejdanit.
Sipas Shërbimit të Zjarrfikësve, nga zjarri janë përfshirë rreth 30 deri në 40 hektarë sipërfaqe, ku janë djegur barishte dhe drunj. Falë angazhimit të zjarrfikësve të Dragashit dhe ndihmës së disa qytetarëve, zjarri është lokalizuar dhe shuar plotësisht rreth orës 19:00.
Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve në Dragash, Shehadin Qafleshi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit, ju bëjmë thirrje që të tregoni kujdes dhe përgjegjësi maksimale për të parandaluar zjarret, të cilat po rrezikojnë pyjet, kullotat, pronat dhe jetën e njerëzve.”
Qytetarët këshillohen të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, të mos djegin mbeturina apo bar të thatë, si dhe të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri tek shërbimet emergjente apo autoritetet përkatëse.
“Ruajtja e natyrës është përgjegjësi e secilit prej nesh. Me kujdesin dhe bashkëpunimin tuaj mund të parandalojmë dëme të mëdha dhe të mbrojmë pasuritë tona natyrore”, thuhet në apelin e Shërbimit të Zjarrfikësve.