Me tre mars 1999, Alajdini së bashku me 30 ushtarë të tjerë, arrijnë në Vrri. Në mesin e tyre ishte edhe Hoxha, si dhe miku i tij dhe bashkëluftëtari i tij, Ymridin Çengaj.

Më11 mars 1999, forca të mëdha ushtarako – policore serbe organizuan aksion në shkallë të gjerë kundër njësitit special që kishte ardhur në Vrri, për të bërë riorganizimin.
Në këtë luftë të ashpër e të pabarabartë janë vrarë 9 ushtarë të UÇK-së, kurse për 9 të tjerë edhe sot e asaj dite nuk dihej se ku ndodhen.
Ishte koha kur ekzistonte një lloj armëpushimi mes forcave serbe dhe UÇK-së, për shkak të faktit se ishte koha e bisedimeve në Rambuje dhe Paris, kështu që Serbia për t’i krijuar favore ushtarake vetes në terren, pikërisht në këtë kohë duke e prishur armëpushimin e ndërmori këtë hap, duke u munduar njëkohësisht ta fsheh këtë para opinionit ndërkombëtar.

Në këtë rast, në të djathtë të fshatit Jeshkovë, në drejtim të Billushës, Alajdini bie heroikisht duke i ndihmuar mikut të tij të plagosur Ymridinit. Trupat e tyre janë gjetur më 13 mars 1999, dhe pastaj pas ndërhyrjes së misionit vëzhgues të OSBE-së, janë varrosur në Pagarushë, më 17 mars 1999 në mbrëmje, për shkak se dorëzimi i kufomave nga morgu i Prizrenit është bërë po atë ditë pasdite vonë. Ata janë varrosur me nderime të larta ushtarake, ndërkaq familja ka shkuar në varrim nga Krusha e Madhe.

Në varrimin Alajdinit kanë marrë pjesë babai, nëna, axha Xhevati, Shemsidini nga Blaçi (fqinjë i tij). Të gjithë këta në këtë varrim i kishte dërguar Masari, që jeton në Tusus, dhe punonte në “Kosova trans”.Atë natë, ushtarët e UÇK-së për çështje sigurie, nuk i lejuan anëtarët e familjeve të dëshmorëve që të kthehen natën vonë. Prandaj familjet e nëntë dëshmorëve që morën pjesë në varrimin e bijve të tyre qëndruan në Studenqan, ku banorët e këtij fshati i pritën me dhembje e respekt.

Vëllain e Alajdinit, Merxhanin, gjatë kohës së luftimeve në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s, policia serbe e ka arrestuar dhe e kanë dërguar në Sharr për të hapur istikame në Vraniq të Gorës. Aty ka qenë i detyruar të punojë për një muaj. Pas një muaj, atë e lëshojnë dhe kalon në Shqipëri. Fatmirësisht forcat serbe nuk e kanë ditur i kujt vëlla ishte…

Ndërkohë, rivarrimi është bërë më 15 shtator 1999, në Landovicë me nderime të larta ushtarake dhe me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra njerëzve, të cilët për t’u bë nderimin bijve më të mirë të këtij populli, dëshmorëve të UÇK-së, kishin ardhur nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare. Sipas komandant Nehat Bashës, Alajdini ishte ushtarë i urtë, i disiplinuar dhe një trim i pashoq.