Delegacioni i Komunës së Dragashit viziton Horën e Arbëreshëve në Sicili

Aktualitet17 hours ago26 shikime

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, anëtarë të Asamblesë, shefja e Kabinetit dhe stafi përcjellës, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në komunën Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet) në Sicili, ku u prit me nderime nga kryetari i kësaj komune, Rosario Petta, dhe udhëheqësit lokalë.

Hora e Arbëreshëve përbën një nga qendrat më të rëndësishme historike e kulturore të shqiptarëve në Itali. E themeluar zyrtarisht më 30 gusht 1488 nga familjet shqiptare të larguara pas pushtimit osman (kryesisht nga viset e Himarës dhe Moreas), kjo trevë ka ruajtur për më shumë se pesë shekuj gjuhën arbëreshe, ritin fetar bizantin, veshjet kombëtare dhe traditat shpirtërore. Gjatë vizitës u veçuan edhe emërtimet e rrugëve dhe tabelat publike të shkruara në dy gjuhë (shqip dhe italisht), si dhe kontributi i studiuesit të njohur arbëresh, Giuseppe Schirò.

Gjatë takimit dypalësh ndërmjet dy delegacioneve, u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Horës së Arbëreshëve, me fokus në fushën e kulturës, arsimit, turizmit, zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimit të përvojave në qeverisjen lokale.

Me këtë rast, kryetari Bexhet Xheladini i adresoi një ftesë zyrtare kryetarit Rosario Petta dhe përfaqësuesve të Shoqërisë Kulturore të Horës së Arbëreshëve për të qenë mysafirë nderi në Komunën e Dragashit, gjatë edicionit të Festivalit Ballkanik “Opoja Vallëzon”, i cili do të mbahet në fund të korrikut të vitit 2027.

Vizita zyrtare vijoi me shëtitje në pikat kryesore historike e turistike të qytetit dhe u përmbyll me një drekë miqësore me gatime tradicionale arbëreshe, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve kulturore e vëllazërore ndërmjet dy komuniteteve.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...