Nga janari deri në tetor të këtij viti nga shtetësia e Kosovës kanë hequr dorë rreth pesë mijë qytetarë, kurse shtetësinë e kanë fituar rreth 300 të tjerë. Shifra përafërsisht të njëjta të heqjes dorë nga shtetësia kanë qenë edhe në vitin e kaluar.

Rreth pesë mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës në dhjetë muajt e parë të këtij viti. Ndërkohë që numri i atyre që kanë fituar shtetësinë e Kosovës në këtë periudhë është rreth treqind, kurse vitin e kaluar numri i atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës ka qenë rreth pesë mijë e shtatëqind.

“Gjatë periudhës janar-tetor 2018 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 4831 persona. Gjatë periudhës janar-tetor 2018 shtetësinë e RKS-së e kanë fituar 298 persona. Në vitin 2017 janë liruar nga shtetësia e RKS-së 5699 persona, kurse e kanë fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës 334 persona”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për gazetën “Zëri”.

Deputetë dhe analistë politikë vlerësojnë se nëse vizat nuk hiqen deri në dhjetor ky numër mund të rritet edhe më shumë.