
Gjatë kohës kur Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me anëtarë të Kuvendit Komunal ndodhen për një vizitë në Sicili të Italitë, degët e subjekteve opozitare në Dragash, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kanë reaguar ashpër ndaj ekzekutivit komunal lidhur me mungesën e ngrohjes në mjediset arsimore.
PDK: SHFMU “Sezai Surroi” në Bellobrad pa ngrohje
Dega e PDK-së në Dragash ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me kushtet në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad, ku sipas tyre mosfunksionimi i sistemit të ngrohjes po detyron nxënësit dhe personelin arsimor të zhvillojnë mësimin në temperaturat e ulëta.
PDK i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë kryetarit Xheladini dhe drejtorisë përkatëse arsimore për ndërhyrje të menjëhershme. “I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës dhe drejtorisë përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë dhe të vënë në funksion ngrohjen. Kërkojmë veprime konkrete, jo arsyetime dhe premtime. Kryetar, lëni anash shëtitjet dhe aventurat e panevojshme dhe merruni me përgjegjësitë tuaja! Fëmijët tanë meritojnë shkolla të ngrohta, jo klasa të ftohta!”, thuhet në reagimin e PDK-së.
LVV: Kontrata e peletit ekziston, por shkollat mbeten pa ngrohje
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar udhëtimin zyrtar në Itali, duke e cilësuar atë më shumë si vizitë turistike se sa studimore, ndërkohë që shkollat përballen me mungesë të lëndës djegëse.
Sipas LVV-së, Komuna e Dragashit përveç furnizimit me dru, ka një kontratë trevjeçare për furnizim me pelet në vlerë prej 37,026 eurosh, ku vetëm për vitin 2026 janë paraparë 55 tonë pelet. Megjithatë, subjekti opozitar ngre pyetjen se pse nxënësit në qytet dhe në fshatra vazhdojnë të përballen me mungesë ngrohjeje.
“Nxënësit nuk duhet të jenë viktima të neglizhencës institucionale. Ata meritojnë klasa të ngrohta dhe kushte dinjitoze për mësim. Kërkojmë përgjegjësi nga kryetari i komunës dhe drejtoritë përkatëse! Pse shkollat nuk kanë ngrohje dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë gjendje?”, thuhet në deklaratën e LVV-së, duke kërkuar zgjidhje emergjente përpara vazhdimit të vizitave jashtë vendit.
Këto reagime të njëpasnjëshme të opozitës vënë në sprovë ekzekutivin komunal për menaxhimin e sezonit të ngrohjes në institucionet arsimore të komunës.
©TVOPOJA