
Në ambientet e OJQ-së AVOKO në Dragash është zhvilluar një takim konsultues me të rinjtë e komunës, në bashkëpunim me drejtoreshën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), Liridona Misinaj Priaj. Ndërmarrja e këtij aktiviteti u realizua në kuadër të projektit të financuar nga Komuna e Dragashit dhe të zbatuar nga OJQ AVOKO, me synim identifikimin e nevojave dhe propozimeve rinore që do të shërbejnë si bazë për planifikimin e aktiviteteve për vitin 2027.
Gjatë këtij debati konstruktiv, të rinjtë pjesëmarrës paraqitën kërkesat e tyre të ndara në disa fusha kryesore zhvillimore:
Kulturë dhe Art: Festivale rinore, koncerte, shfaqje teatrale, ekspozita, pikturë dhe gara të ndryshme artistike.
Sport dhe Rekreacion: Organizimi i turnireve në futboll, basketboll e volejboll, si dhe aktivitete të skijimit e çiklizmit.
Edukim dhe Aftësim Digjital: Kurse të gjuhëve të huaja, trajnime në teknologji, programim, dizajn grafik, inteligjencë artificiale dhe marketing digjital.
Aftësim Profesional dhe Zanate: Trajnime praktike për gastronomi, hoteleri, turizëm malor, si dhe profesione deficitare në tregun e punës si instalimi i ngrohjes qendrore, elektrika, ujësjellësi dhe mirëmbajtja teknike.
Sipërmarrje, Punësim dhe Parandalimi i Migrimit: Mbështetja e ideve të reja të biznesit (Start-up), trajnime për plane biznesi, takime me kompani lokale për punësim sezonal, si dhe krijimi i mundësive me qëllim që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.
Orientim në Karrierë dhe Mirëqenie: Këshillim profesional, përgatitje për tregun e punës, aksione vullnetare mjedisore e humanitare, si dhe ndërgjegjësim për shëndetin mendor dhe parandalimin e dukurive negative.
Propozimet e nxjerra nga ky takim konsultues do të integrohen në planin e punës për vitin 2027, në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Komunës së Dragashit, sektorit privat dhe donatorëve të ndryshëm. Nga OJQ AVOKO ritreguan përkushtimin për vazhdimin e fuqizimit të rinisë dhe krijimin e hapësirave konkrete për zhvillimin e komunitetit lokal.
©TVOPOJA