Protesta e AKK-së, Kryetari Xheladini fton qytetarët e Dragashit, Mustafa e kundërshton

Politik7 hours ago64 shikime

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), e cila do të mbahet më 1 shtator para Qeverisë së Kosovës, duke nisur nga ora 11:00.

Në ftesën publike, Xheladini u është drejtuar qytetarëve të Komunës së Dragashit, punëtorëve të administratës komunale, arsimit dhe shëndetësisë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit.

Sipas tij, protesta është jopartiake dhe synon mbrojtjen e interesave të komunave dhe qytetarëve të Kosovës.

Xheladini ka bërë të ditur se për qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë do të sigurohen dy autobusë, të cilët do të nisen nga Dragashi në orën 08:00.

Në mesin e kërkesave të protestës janë rimbursimi i 350 milionë eurove që, sipas AKK-së dhe kryetarëve të komunave, lidhen me zbatimin e Kontratës Kolektive, kompensimi i dëmeve nga vërshimet, sigurimi i mbulimit buxhetor për 115 punëtorë të arsimit, çështja e pronave komunale, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5%, zbatimi i Grantit të Katërt dhe respektimi i autonomisë lokale.

Kryetari Xheladini ka bërë thirrje që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore, pa dallime partiake.

Ndaj kësaj thirrjeje ka reaguar Filiz Mustafa nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili e ka kundërshtuar pjesëmarrjen në protestë dhe ka kritikuar mënyrën se si kryetari Xheladini e ka paraqitur atë.

Mustafa ka krahasuar buxhetet e ndara për komunat ndër vite, duke deklaruar se në vitin 2018, kur sipas tij Kosovën e qeveriste koalicioni PLAN, buxheti i Qeverisë për komunat ishte rreth 491 milionë euro, ndërsa për vitin 2027 projeksioni i Qeverisë aktuale është rreth 907 milionë euro.

Ai ka kritikuar gjithashtu AKK-në dhe kryetarët që, sipas tij, po e përdorin protestën për qëllime politike dhe opozitarizëm ndaj Qeverisë qendrore.

Mustafa ka ngritur një sërë çështjesh që lidhen me pretendimet e kryetarit Xheladini, duke përmendur kontratën kolektive, punësimet në arsim dhe shëndetësi, çështjen e pronave komunale dhe problemet me ujësjellësit në Komunën e Dragashit.

Ai ka pretenduar se disa prej kërkesave të paraqitura nga Xheladini janë të diskutueshme dhe se kryetari duhet të japë më shumë sqarime rreth tyre.

Në reagimin e tij, Mustafa ka listuar edhe një numër projektesh që, sipas tij, janë realizuar ose janë duke u realizuar në Komunën e Dragashit gjatë periudhës 2021–2026, poashtu ka përmendur edhe projekte që, sipas tij, janë në ndërtim ose të parapara në buxhet, përfshirë qendrën multifunksionale në qendër të Dragashit, rrugën Glloboçicë–Baçkë–Brod, ndërtimin e Poliklinikës Specialistike dhe nënstacionin e ri të Dragashit.

Në fund të reagimit, Mustafa ka deklaruar se, sipas tij, nuk ka arsye të qëndrueshme për pjesëmarrje në protestë, duke e cilësuar atë si një përpjekje politike që, sipas tij, do të dështojë.

Nga ana tjetër, kryetari Bexhet Xheladini mbetet në qëndrimin e tij se protesta është në mbrojtje të interesave të komunave dhe qytetarëve dhe ka ftuar qytetarët e Dragashit që t’i bashkohen protestës së 1 shtatorit.

Protesta e thirrur nga AKK-ja pritet të zhvillohet nesër para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me fillim nga ora 11:00.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...