Prof. dr. Nexhmi Hyseni është pasqyrë e gjallë e një kirurgu të shquar që bëri 32 vjet punë kirurgjike me standarde të larta, duke dhënë një ndihmesë të madhe në drejtim të ecjes përpara të kirurgjisë dhe urologjisë së fëmijëve në Kosovë.

Shkruan: Demir Reshiti*

Prof. dr. Nexhmi Hyseni është i lindur më 10 shkurt 1956 në fshatin Brezne të Opojës. Prindërit e tij, Shukriu e Hamidija e rriten e edukuan me përkushtim me dëshirën që biri i tyre të bëhet mjek.
Kjo dëshirë dhe ëndërr e prindërve, ishte njëherësh edhe dëshirë e vetë Nexhmiut i cili pas përfundimit të shkollës së mesme regjistroi fakultetin e mjekësisë në Prishtinë të cilin me sukses të shkëlqyer e përfundoi në vitin 1981. Specializoi kirurgjinë pediatrike në Universitetin e Zagrebit dhe njëkohësisht mbaroi studimet postdiplomike nga lëmia e kirurgjisë si dhe i edukuar në mënyrë periodike në shumë klinika evropiane dhe botërore.

Profesor Nexhmiu është një specialist, pedagog dhe mjek i shkëlqyer i Kirurgjisë dhe urologjisë pediatrike. Ishte udhëheqës shumëvjeçar i katedrës së Kirurgjisë dhe Ortopedisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, i cili drejtoi dhe e reformoj atë me përkushtim të lartë, të përputhshëm me standardet e katedrave moderne evropiane. Është Prof. i rregullt i kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe Ligjërues senior i Shkollës internacionale të edukimit ultrasonografik në mjekësi Aloka (Gjermani)-Kosovë.

Profesor visitor shumëvjeçar në Spitalin universitar- Departamenti i Urologjisë Pediatrike- NUY, Nju Jork- SHBA. Përveç kësaj Prof. Nexhmi Hyseni si pedagog i kirurgjisë dhe ekspert ndërkombëtar, është ftuar disa herë si ligjërues mysafir ne disa vende te Evropës. Anëtar i shumë shoqatave të mjekësisë kosovare, President i kongresit botëror të Hypospadive 2007, anëtar i Bordit Evropian të Urologjisë Pediatrike, anëtar i Shoqatës Evropiane të kirurgjisë pediatrike, anëtar i Federatës botërore të asociacionit të kirurgëve pediatrik, anëtar i Shoqatës së mjekëve të Kroacisë. anëtar i Shoqatës internacionale për studimin e dhembjes (IASP).
Profesor Nexhmi Hyseni është pranuar në Bordin Editorial Redaktues të Revistave të njohura shkencore “Journal of Medical Case Reports (JMCR), Turkie Klinikleri Journal of mediacal sciences dhe revistes “Cases Journal”, revista këto që citohen në PUBmed e që është një bazë e të dhënave ku citohen publikimet e pranuara ndërkombëtarisht në fushën e mjekësisë.

Është Autor i 47 punimeve shkencore te publikuara ne revista vendore dhe ndërkombëtare, autor i 4 kapitujve të librave universitarë nga lëmia e kirurgjisë së fëmijëve, organizator i shumë simpoziumeve dhe konferencave vendore e ndërkombëtare, në të cilat prezantoi shumë punimeve shkencore. Të arriturat e tij të larta profesionale dhe shkencore që pasqyrohet edhe në CV e tij ne ueb-faqen e Fakultetit te Mjekësisë, e bëjnë krenar Fakultetin e Mjekësisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Punën e tij të frytshme dhe me vlerë e respekton e gjithë komuniteti mjekësor, e respektojnë kolegët e tij, studentët e tij dhe i gjithë brezi i ri i mjekësisë kosovare.
Pra, prof. Nexhmi Hyseni është pasqyrë e gjallë e një kirurgu të shquar kosovar, që bëri 32 vjet punë kirurgjike me standarde të larta duke dhënë një ndihmesë të madhe në drejtim të ecjes përpara të kirurgjisë dhe urologjisë së fëmijëve në Kosovë. Ai përdor teknika të shkëlqyera operatore duke bërë operacione të ndërlikuara në fëmijë të posalindur, foshnje dhe fëmijë adoleshent. Shumë ndërhyrje kirurgjikale të vështira të kirurgjisë së Fëmijëve, të bëra për herë të parë në Kosovë mbajnë vulën e profesor Nexhmiut. Disa nga operacionet e bëra në këto vitet e fundit janë të parat në Ballkan e më gjerë, falë angazhimit dhe bashkëpunimit të Klinikës së kirurgjisë Pediatrike me shumë klinika Universitare të Evropës dhe botës si: klinika universitare e Heidelbergut të Gjermanisë, klinika Universitare në Graz të Austrisë, pastaj klinikat universitare të Suedisë, Turqisë, SHBA-Nju Jork, Kroacisë, Egjiptit, Arabisë Saudite, Australisë etj.

Shembull dhe inspirim për brezat e ardhshëm

Me të drejtë kolegët e tij të klinikës e quajnë “themelues të kirurgjisë moderne kosovare” sepse kudo që shkoi jashtë shtetit, i befasoi kolegët e tij me madhështinë e talentin e tij të kirurgut të shkëlqyer. Asociacioni i urologjisë Pediatrike Europiane mbeti i mahnitur me paraqitjen e shkëlqyer të rezultateve të punës profesionale në kirurgjinë e hypospadive, prandaj Shoqata Evropiane e urologjisë pediatrike ia besoj organizimin e kongresit botëror të hypo-spadive i cili në vitin 2007 mblodhi në Prishtinë me shumë se 130 ekspert ndërkombëtar. Prof Nexhmi Hyseni shquhet edhe me faktin se me një maturi shembullore përgatiti shumë kuadro kirurg duke i ngritur ata në nivele bashkëkohore.

Prof. Nexhmiu është gjithmonë për përkrahjen e të rinjve duke udhëhequr magjistratura dhe disertacione të shumë kirurgëve me tema të ndryshme kirurgjikale dhe urologjike. Specializantët jo vetëm nga kirurgjia e fëmijëve, por edhe nga lëmitë tjera i vlerësojnë lart aftësitë e shkëlqyera pedagogjike dhe njohuritë e mëdha profesionale shkencore që zotëron ai të cilat duhet të shërbejnë si model dhe gurëthemel për brezat e ardhshëm të Kirurgjisë dhe ne veçanti të Kirurgjisë se Fëmijëve.
Si në çdo disiplinë tjetër, edhe në mjekësi, autoriteti i tij është fituar vetëm me punë dhe ndershmëri, gjë që konfirmohet edhe me rezultatet e arritura në fushën ku punon. Puna e tij e frytshme në kirurgji dhe urologji peditatrike ishte, është dhe do të jetë shembull dhe inspirim për brezat e ardhshëm.

*Shkrimi publikohet me rastin e ditëlindjes së 64-të të prof. dr. Nexhmiut