Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim për dy zyrtarët e zyrës ligjore të Komunës së Prizrenit, Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi njofton Tv Opoja.

Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare thuhet në njoftimin e fundit nga Gjykata Themelore e Prizrenit.
Televizioni Opoja ju sjellë komunikatë e Gjykatës Themelore të Prizrenit drejtuar sot në Media.

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e Paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, ndaj të pandehurve me iniciale SH.K dhe A.K. që të dy nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me para.2.nën parag.2.1 dhe 2.2 e në lidhje me nenin 31 të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 16.01.2020, dhe do të zgjasë deri më datën 15.02.2020.

Sepse dyshohet se të pandehurit në cilësinë e personave zyrtar në Komunën e Prizrenit, respektivisht i pandehuri me iniciale SH.K. si përfaqësues ligjor, ndërsa i pandehuri tjetër me iniciale A.K. udhëheqës i sektorit të zyrës ligjore, kanë kryer veprat penale në dëm të Komunës së Prizrenit, ku me këtë rast kanë anashkaluar procedurat e cila do të duhet të iniciohej nga Kryetari i Komunës, me propozim të këtij të fundit Kuvendit të Komunës, për të vlerësuar këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me personat fizik dhe juridikë, e aq më tepër kur zyrtarët e lartpërmendur, në këtë çështje jo kontestimore kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës ndaj vendimit, me këtë i kanë shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.