Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Telegrafi merr vesh se nënshkrimin e marrëveshjes e kanë bërë liderët e dy subjekteve politike, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Detajet e marrëveshjes së nënshkruar pritet të bëhen publike rreth orës 09:30 nga liderët e dy subjekteve politike.

Sipas kësaj marrëveshjeje, LVV pritet të udhëheqë 6 ministri, aq sa dhe LDK-ja. Ndërkaq, 3 ministri do t’i takojnë komuniteteve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ajo duhet të marrë miratimin e organeve vendimarrëse të dy partive. Vetëvendosje dhe LDK do të mbledhin organet e partive, këshillat e përgjithshëm që ta aprovojnë marrëveshjen.

Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja. /Telegrafi/