Një i ri i edukuar është ai, i cili është në gjendje të VENDOSË (të merr vendime mbi veten, sado të vështira të jenë ato), pa u ndikuar nga ASKUSH.
Kjo që thash, e qartë se bie ndesh me mentalitetin tonë, ngase te ne “Një i ri i edukuar është ai që e dëgjon prindin, mësuesin, apo më të vjetrin dhe vepron sipas këshillave të tyre”….
Këto dy koncepte mbi edukatën kanë shumë rëndësi për një zhvillim të mirëfilltë shoqëror. (Natyrisht se prindi, mësuesi dhe më i vjetri duhet dëgjuar se çfarë këshillon, por jo të veprohet, pa e futur atë këshillë në “mullirin” vetjak e pa e “bluar” mirë e mirë).

Kur „strajcën“ t’ia hedhësh supit dhe të nisesh për në mërgim, dije se e ke marrë një vendim ireversibil (të pakthyeshëm, apo papërmirësueshëm).
Në 99% të rasteve, nga mërgimi, nuk ka kthim me dëshirë (ndoshta nga zori, ose ngase përfundon afati i vizës, apo nga shkaku i një interesi të madh).
Të gjendesh në një vend të huaj, pa kulm mbi kokë, pa të drejtë pune, pa asnjë mik, pa një njohje elementare të mentalitetit vendës, apo të sistemit shoqëror, është shumë e vështirë.
Por kjo nuk është më e vështira.
Më e vështira vjen pasi t’i bësh të gjitha kushtet për jetesë dhe radha i vjen krijimit të familjes.
Një mik imi më tha njëherë:
„Unë në mërgim kam ardhur të bëhem shtëpi, e tash do të fikem krejt“
Vështirësia më e madhe pra është lufta kundër asimilimit, e cila (në një periudhë më të gjatë) dosido është e gjykuar të humbet. Natyra e jetës e sjell këtë.

Pse e gjykuar të humbet?

Këtu janë ca probleme, që jomërgimtarët nuk i dinë.

E para është dilema nëse duhet fëmija ta mësojë gjuhën amtare (shqipe) patjetër, kur kjo nuk i duhet aty ku jeton, apo nëse është më mirë ta mësojë anglishten dhe spanjishten (dihet që këto të dyja së bashku janë, thuajse po aq të vështira, sa gjuha shqipe e vetme).
Mësuesit në perëndim thonë se fëmija, që e njeh mirë gjuhën amtare, është më i suksesshëm në mësime (kjo nuk është krejt pa prapavijë). E unë them që këta fëmijë janë më të mirë në mësime nga ndjenja e inferioritetit: „t’u tregoj këtyre vendësve, që edhe unë i huaji kam vlerë“.
Mësimi i mirë i gjuhës amtare nuk e lë fëmijën ta mësojë gjuhën vendëse pa akcent të huaj, pra sikur ta kishte gjuhë amtare, e si i tillë ky fëmijë gjithmonë do të ngelet „ausländer“, edhe pasi të rritet, gjë që do ta margjinalizojë në njëfarë mënyre.

E dyta është dilema rreth suksesit. Më duhet vetë ta pranoj, se po të kisha ditur gjermanisht sikur vendësit, pa asnjë dallim në akcent dhe anglisht sikur që di shqip, unë sot do të isha në udhëheqjen e ndonjë koncerni të madh (dhe këtë e them me modesti) … Edhe përkundër suksesit të mirë në profesion, ky sukses as përafërsisht nuk është i krahasueshëm me atë se çfarë do të mund të arrija, sikur ti plotësoja kushtet, që i ceka më lart.

E treta është mendësia që „më mirë do të ishte që fëmija të mos e harrojë se është shqiptar, por jo patjetër të njeh shqipen“. Këtë koncept të luftës kundër asimilimit, nëse mund të quhet si i tillë, e mbështesin mjaft intelektualë. Nevoja që shqiptarët të marrim pozita të rëndësishme në shoqëritë ku jetojnë ka sjellë deri te kjo mendësi. Ngase shumë më e leverdishme do të ishte, që një shqiptar të ishte drejtor i një shtëpie informative (por që nuk di shqip), se sa murator apo kuzhinier (që e di shqipen mirë)
Kjo, ngase gjuha me akcent të huaj është pengesë e madhe për ngjitjen në pozita të rëndësishme e me vlerë. Kjo është e padrejtë, por kështu është.

Luftën kundër asimilimit gjuhësor (ndoshta) do ta humbim. Shpresoj që kujtesën mbi prejardhjen të mos e humbim, që kur të na vijë rasti, të kontribuojmë për vendet tona.

Por duhet angazhuar të arrijmë ta fitojmë një rast të tillë, e kjo do të thotë t’i edukojmë të rinjtë tanë nëpër universitete, gjithsesi kush ka mundësi. Por edhe pas përfundimit te studimeve, pengesë e madhe për arritjen e caqeve është mosnjohja perfekte e gjuhës së vendit ku këta të rinjë jetojnë.

Dipl.-Ing. Faton Piraj
15.07.2019 në Vjenë