Dëshmori Alajdin Xhezairi është lindur më 20.07.1974 në Prizren nga babai Nevzati dhe nëna Zyrafetja nga Bresana. Familja e tij para viteve shtatëdhjetë është shpërngulur në Prizren, në lagjen Tusus. Alajdini kishte pesë motra dhe tre vëllezër: Merimani, Merxhani, Nexhmedini, Alajdini, Mamudija, Bekrija, Shpresa, Myrvetja dhe Igballja.
Gjatë kohës sa ishte në front në Reti, Alajdini ishte fejuar me vajzën e dëshmorit tjetër opojan Ymridin Çengaj. Alajdini shkollën fillore e ka kryer në shkollën “Fadil Hisari” në Prizren. Si njeri ishte i qetë, nuk ka qenë eksploziv, por të padrejtën nuk e kishte duruar asnjëherë. Në rrethin e tij Alajdini ishte i njohur si një kameraman amator i cili bënte incizime dasmash me video kamerë bashkë me kushëririn e tij Hajredinin. Po ashtu ai kishte qenë sportist dhe është marrë me ngritje të peshave. Kjo i kishte siguruar atij një përgatitje të lartë fizike. Vishej me kombinime, ndonëse kushtet materiale i kishte të pavolitshme. Në ndonjë parti politike nuk kishte aderuar asnjëherë.

Në radhët e kryengritësve

Në vitin 1998, ai iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së. Kështu, në qershor të atij viti ka shkuar për armë në Shqipëri, dhe që nga ai moment nuk iu kishte ndarë shokëve. Përmes Bashkimi Krasniqit është kyçur në batalionin, të cilin e ka udhëhequr Naser Berisha, dhe ka qenë në Lez, në togun, të cilin e ka udhëhequr Fehim Berisha. Në ofensivën e Buçes kishte marrë pjesë edhe Alajdini. ngase ai dhe shokët sapo ishin kthyer nga Shqipëria ku kishin qenë për të siguruar armatim.
Ky njësit fillimisht ka shkuar në drejtim të Hasit, ndërkohë është kthyer në drejtim të Buçes, ku hetohen nga forcat serbe dhe fillojnë luftimet. Me këtë rast vriten disa ushtarë të UÇK-së, por vritet edhe komandanti serb Dejan Deniq, si dhe plagoset zëvendëskomandanti i policisë serbe Rrustem Agushi. Në luftime e sipër u zu rob djali i axhës së Alajdinit, Berati, i cili u burgos dhe u dënua me 12 vite burgim.
Alajdini ka qenë aktiv sidomos në ofensivën armike të 1 shtatorit 1998 në Vërri. Pas ofensivës u detyrua të kthehej në një vend më të sigurt, për ti konsoliduar përsëri radhët. Në këtë kohë, rastësisht i ka shpëtuar pritës së serbëve. Në fillim ka menduar se janë ushtarë tanë, dhe ka dashur t’u flas, por për fat të tij i dëgjon, dhe sapo i kupton se janë serbë, largohet. Duke u larguar ata gjuajnë në drejtim të tij me snajper, por plumbi e godet gurin, kurse me nga një copë gur ishte lënduar rëndë në gju.
Shërimi i tij ka zgjatur më se tre muaj dhe atë ilegalisht. Për këtë ka ditur vetëm djali i axhës së Alajdinit, që vinte herë pas here për t’i dhënë injeksione. Gjatë tre muajve ka qëndruar te një vajzë e axhës në Ortakoll, te Naseri i Bresanës, dhe te miku i Hajredinit (vëllait të Hoxhës), te Xhemali i Bresanës.
Këto dy familje, jetojnë në brendi të qytetit, andaj mendonin se mundësitë për të mos u hetuar nga armiku ishin më të mëdha. Pastaj, për një muaj u kthye në shtëpi, ku edhe u forcua pak. Menjëherë sapo u forcua, bashkë me Ymridinin dhe një person tjetër, kanë përcjellur dikë për Maqedoni. Me atë rast ata kanë qëndruar në Zaplluxhe, në mahallen “Te xhamia”.
Alajdini pasi shërohet ilegalisht, qëndron derisa kupton se në Reti është bërë riorganizimi i Brigadës 125. Prej aty, në janar 1999, u bashkohet sërish shokëve, bashkë me Hoxhën Samidin Xhezairin. Hoxha kishte ardhur nga Shala në zonën e Pashtrikut. Pasi Alajdini ishte i përgatitur fizikisht, së bashku me shokët e tjerë, të cilët kishin përvojë në betejën e Vrrinit, bënin pjesë në njësinë speciale të Brigadës 125, të cilën do ta udhëhiqte Hysen Rexhepi nga Celina, i cili ka stërvitur te gjeneral Kudusi Lame më herët në Shqipëri dhe i cili do të vritej më vonë në betejën e dytë të Vrrinit.

Ra dëshmorë me pushkë në dorë…

Me tre mars 1999, Alajdini së bashku me 30 ushtarë të tjerë, arrijnë në Vrri. Në mesin e tyre ishte edhe Hoxha, si dhe miku i tij dhe bashkëluftëtari i tij, Ymridin Çengaj. Më11 mars 1999, forca të mëdha ushtarako – policore serbe organizuan aksion në shkallë të gjerë kundër njësitit special që kishte ardhur në Vrri, për të bërë riorganizimin.
Në këtë luftë të ashpër e të pabarabartë janë vrarë 9 ushtarë të UÇK-së, kurse për 9 të tjerë edhe sot e asaj dite nuk dihej se ku ndodhen. Ishte koha kur ekzistonte një lloj armëpushimi mes forcave serbe dhe UÇK-së, për shkak të faktit se ishte koha e bisedimeve në Rambuje dhe Paris, kështu që Serbia për t’i krijuar favore ushtarake vetes në terren, pikërisht në këtë kohë duke e prishur armëpushimin e ndërmori këtë hap, duke u munduar njëkohësisht ta fsheh këtë para opinionit ndërkombëtar.
Në këtë rast, në të djathtë të fshatit Jeshkovë, në drejtim të Billushës, Alajdini bie heroikisht duke i ndihmuar mikut të tij të plagosur Ymridinit. Trupat e tyre janë gjetur më 13 mars 1999, dhe pastaj pas ndërhyrjes së misionit vëzhgues të OSBE-së, janë varrosur në Pagarushë, më 17 mars 1999 në mbrëmje, për shkak se dorëzimi i kufomave nga morgu i Prizrenit është bërë po atë ditë pasdite vonë. Ata janë varrosur me nderime të larta ushtarake, ndërkaq familja ka shkuar në varrim nga Krusha e Madhe.
Në varrimin Alajdinit kanë marrë pjesë babai, nëna, axha Xhevati, Shemsidini nga Blaçi (fqinjë i tij). Të gjithë këta në këtë varrim i kishte dërguar Masari, që jeton në Tusus, dhe punonte në “Kosova trans”.Atë natë, ushtarët e UÇK-së për çështje sigurie, nuk i lejuan anëtarët e familjeve të dëshmorëve që të kthehen natën vonë. Prandaj familjet e nëntë dëshmorëve që morën pjesë në varrimin e bijve të tyre qëndruan në Studenqan, ku banorët e këtij fshati i pritën me dhembje e respekt.
Vëllain e Alajdinit, Merxhanin, gjatë kohës së luftimeve në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s, policia serbe e ka arrestuar dhe e kanë dërguar në Sharr për të hapur istikame në Vraniq të Gorës. Aty ka qenë i detyruar të punojë për një muaj. Pas një muaj, atë e lëshojnë dhe kalon në Shqipëri. Fatmirësisht forcat serbe nuk e kanë ditur i kujt vëlla ishte…
Ndërkohë, rivarrimi është bërë më 15 shtator 1999, në Landovicë me nderime të larta ushtarake dhe me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra njerëzve, të cilët për t’u bë nderimin bijve më të mirë të këtij populli, dëshmorëve të UÇK-së, kishin ardhur nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare. Sipas komandant Nehat Bashës, Alajdini ishte ushtarë i urtë, i disiplinuar dhe një trim i pashoq.