Mbrojtja dhe promovimi i djathit të Sharrit: treguesi (indikacioni) gjeografik

Sot në ligjëratën e tij mysafirë, Dr. François Lerin, nga AIDA (Association internationale pour le développement de l’agroécologie) foli për hulumtimet e tij 2 vjeçare në treguesin gjeografik të djathit të Sharrit, si një ndër produktet vendore më të njohura të Kosovës, sa i përket vlerave të larta agroekologjike.

Dr. Lerin diskutoi për metodat e hulumtimit të tij në rajonin e Sharrit, gjegjësisht 4 mikrorajonet e tij, për testimet e bëra mikrobiologjike, për përmbajtjen nutricionale, për llojet e florës dhe faunës atje dhe për gjithë praktikat profesionale, ekonomike dhe kulturore të procesit të prodhimit të djathit të Sharrit nga blegtorët lokalë.

Sipas tij, prodhimi dhe marketingu i një produkti me tregues gjeografik , që është një shenjë apo emër që përdoret për produkte të vendeve sepcifike, që konotojnë origjinën territoriale, praktikën e veçantë të prodhimit dhe cilësit e veçanta që dalin nga ky process, kërkon kohë dhe punë të madhe.

Djathi i Sharrit me kohë e punë, vullnet e bashkëpunim mund ta arrijë nivelin e produktit me tregues gjeografik apo “terroir” si theksohet në Francë.

Po, ashtu Dr. Lerin foli edhe për të drejtën intelektuale dhe të pronësisë për raste të tilla, për mundësinë e bashkëpunimit rajonal, për aftësimin e brezave të rinj në fushën e agroekologjisë, për mashtrimin me “produkte” të rrejshme dhe për mundësinë e zhvillimit ekonomik bazuar në agroekologji.

U diskutua edhe potenciali i ruajtjes së praktikës pastorale të prodhimit të djathit të Sharrit si trashëgimi kulturore. Ai krahasoi hulumtimet e tij në Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci, mes tjerash, me ato në Kosovë dhe vlerësoi vullnetin e bashkëpunimit nga ana e blegtorëve dhe përfaqësuesve të tyre për të krijuar produkte me tregues gjeografikë.

Pas ligjëratës, pati pyetje dhe diskutime të frytshme rreth potencialit të studimit të produkteve me vlera të larta natyrore dhe bashkëpunimit të nevojshëm mes shkencave shoqërore dhe atyre natyrore në këtë drejtim.