Të martën është mbajtur mbledhja e Shtabit Emergjent në Komunën e Dragashit, ku anëtarët e Shtabit Emergjent kanë diskutuar për gjendjen aktuale të emergjencës shëndetësore.

Kryetari i Komunës, Shaban Shabani , ka falënderuar anëtarët e Shtabit Emergjent, administratorët, policinë, stafin shëndetësor inspektoratin dhe gjithë qytetarët e komunës të cilët po i zbatojnë në përpikmëri të gjitha masat e marra të komunës dhe ato të nivelit qendror.

Kryetari Shaban Shabani sërish ka vlerësuar se bashkëpunimi i mirë mes të gjithë akterëve, është rezultat që deri më tani në Dragash fatmirësisht nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë rast.

Në këtë mbledhje, anëtarët e Shtabit Emergjent kanë raportuar për gjendjen aktuale dhe marrjen e masave parandaluese të virusit COVID-19. Po ashtu janë diskutuar edhe vendimet e fundit të nivelit qendror lidhur me kufizimet e lëvizjes, paçartësitë dhe vështirësitë lidhur me implementimin si masa shtesë. Gjithashtu u diskutuan edhe masat që duhet ndërmarrë për implementimin e vendimit të nënshtabeve emergjente. Në takim temë diskutimi ishte edhe shpërndarja e pakove që do të ndahen javët e ardhshme pas përfundimit të procedurave të prokurimit.
Si zakonisht edhe në këtë takim u bë thirrje për qëndrim në shtëpi, ruajtja e distancës dhe dalja të bëhet vetëm për furnizime të domosdoshme.