
Më 3 maj 2026 (e diel), në Mejdanin e Opojës në Dragash do të mbahen garat tradicionale të kuajve dhe të pehlivanëve, të organizuara nga Klubi i Kuajve “Opoja”, në nder të kalorësit Muhamer Mustafa.
Ngjarja pritet të nisë në ora 14:00 dhe do të sjellë një program të pasur për të apasionuarit e këtij sporti dhe tradite. Në kuadër të aktivitetit do të zhvillohen gara të pehlivanëve, sfilatë me kuaj të llojeve të ndryshme, si dhe gara me kuaj arabë dhe anglezë.
Ky organizim synon të ruajë dhe promovojë traditat e vjetra të Opojës, duke mbledhur pjesëmarrës dhe vizitorë të shumtë nga rajoni.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që të marrin pjesë dhe të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë.
©TVOPOJA