Bedri Halimi, një intelektual, tregon se fshati Kuk ka një trashëgimi të lashtë dhe është një vend me ajër të pastër dhe shërues,shkruan portali Tv Opoja.

Fshati Kuk i Opojës shtrihet në rrëzë të Sharrit, në lartësinë mbidetare 1150 m. Në formë të zgjatur lëshohet nga rrëza e malit, ka fusha në drejtimin juglindje-veriperëndim. Kryesisht është ngritur në tarracën fluro-glaciale. Nëpër Kuk kalon lumi i Kukit. Sipas Bedri Halimit, pasuritë natyrore të Kukit janë kullosat malore, tokat fushore dhe ujërat.“Këtë vendbanim, ndonëse nuk e gjejmë në dokumente të tjetra, pa dyshim ky fshat është mjaft i vjetër, por i fshehur pas ndonjërit nga emrat e vjetër të vendbanimeve, që sot nuk u dihet lokaliteti. Sipas shënimeve statistikore në vitin 1865 i kishte 45 shtëpi; rreth vitit 1879 i kishte 40 shtëpi; sipas regjistrimit të vitit 1913 kishte 563 banorë; në vitin 1918 kishte 60 shtëpi me 347 banorë shqiptarë; në vitin 1912 vetëm 63 shtëpi me 433 banorë; në vitin 1948 i kishte 71 shtëpi me 640 banorë; në vitin 1953 kishte 83 shtëpi me 655 banorë; në vitin 1961 i kishte 79 shtëpi me 669 banorë, të gjithë shqiptarë; në vitin 1971 kishte 97 shtëpi me 985 banorë (966 shqiptarë, 19 të tjerë); në vitin 1981 i kishte 131 shtëpi me 1334 banorë, të gjithë shqiptarë. Ndërsa, në vitin 1991 i kishte 161 shtëpi me 1625 banorë. Fshati ka lidhje të mira rrugore, shkollën e plotë fillore, ambulancën “Nënë Tereza” disa dyqane tregtare e zejtare, për punimin e drurit, lëngjeve dhe prodhimin e kaloriferëve etj.”, shprehet ai.

Ngritja e vetëdijes kulturore në Opojë

Në Kuk jetojnë 1750 banorë në 185 shtëpi. Për nga numri i popullsisë dhe shtëpive është vendbanimi i tretë në Opojë. Halimi shprehet se mëhallët që e përbëjnë fshatin përputhen me fiset Kelaj, Durakaj, Velaj, Tafaj, Medaj, Hoxhaj dhe Pashtraj. Për Opojën nuk janë bërë studime e hulumtime shteruese, ndaj edhe ka mbetur sot e kësaj dite një ndër trevat shqiptare më pak të njohura dhe më pak të studiuara. Pikërisht për këtë arsye, Sadik Mehmeti, punonjës shkencor në Arkivin e Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë dhe në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”, duke qenë edhe vetë i lindur dhe i rritur në këtë trevë, i është qasur punës hulumtuese e studimore, e cila ka kulmuar me botimin e librit “Kontribute për historinë e Opojës”.”Kjo është një përpjekje për të sjellë të dhëna për disa ngjarje, personalitete e institucione të kësaj treve, kryesisht të shekullit XX, dhe është pa dyshim një libër me vlera të pakontestueshme historike për Opojën”, tregon profesor Mehemeti. E ashtuquajtura histori e fshehur, ajo që zhvillohet në margjinat e ngjarjeve të rëndësishme shoqërore, pas analizave të hollësishme dhe shumështresore, mund të tregohet si faktor i rëndësishëm në krijimin e disa parimeve të reja shoqërore.“Një nga njohuritë më të rëndësishme, deri tek e cila mund të arrijmë në atë mënyrë, është për shembull kush ishin prijatarë në luftën për emancipimin fetar dhe ngritjen e vetëdijes kulturore e kombëtare në Opojë, njerëz të cilët çdo minutë të kohës së tyre e shfrytëzuan për këtë qëllim”.

Infrastruktura e realizuar në masë të konsiderueshme

Bedri Halimi është shprehur për “Kosova Sot” se fshati ka shumë kurbetçinj dhe ky numër lëviz vazhdimisht. “Kemi të punësuar në Gjermani, Austri, Itali, Zvicër”, tha ai. Halimi thekson se edhe për pika apo vende shënjuese janë edhe “Verri i Rrahës”, “Kroi i Leres” etj., që kanë nga një histori më vete. Ai thotë se asfaltimi në këtë fshat ekziston, rrugët janë të kubëzuara, kurse infrastruktura është e realizuar në masë të konsiderueshme, por ka nevojë për renovim të rrjetit të ujësjellësit, si dhe ndërtimit të rrugës së bjeshkës. Halimi thekson se në këtë fshat njerëzit merren me blegtori. Ai shprehet se dasmat e kanë ruajtur në mënyrë shumë autoktone të gjithë traditën.