Qendra Mjekësore komunale në Dragash nga viti 2016 ka mbetur pa gjinekolog, zaten, gjinekologu shumëvjeçar është pensionuar, me çka ky vendi i punës ka mbetur i zbrazët.

Në disa tubime ka mundur të dëgjohet dhe shihet reagimi i grave, që janë detyruar që intervenimin mjekësor ta kërkojnë në Prizren, si pasojë e mungesës së mjekut për shërimin e problemeve gjinekologjike.

Deri vonë mund të dëgjoheshin reagimet e disa shoqatave të grave që kanë kërkuar punësimin e një gjinekologeje, mirëpo situata tash ka ndryshuar kështu që theksi është në punësim e jo në kushtëzim gjinor.

Në shënimin e 8 marsit – Ditës së Grave dhe një debati lidhur me këtë, si problem më i theksuar është përmendur mu mungesa e gjinekologut, për të cilin gratë kanë diskutuar me zemërim.

”Problematika e gjinekologut mes temave të tjera, ishte temë e brengosjes në debatin që kemi organizuar me rastin e 8 marsit. Gjinekologjia në Dragash nuk funksionon që nga pensionimi i gjinekologut, tashmë dy vjet”, thotë Lindita Piraj, zyrtare për barazi gjinore.

Sipas saj, mamitë punojnë pa gjinekolog, por grave nuk po iu ofrohen as shërbimet gjinekologiike dhe as që lindin në Dragash. Banorët e komunës që përbëhet nga 36 fshatra duhet të kërkojnë shërbime 70 kilometra nga Gora dhe Opoja.

Dzejrana Lokaj, kryetare e organizatës joqeveritare “Shoqata e Nismës së Grave” është një ndër më të zëshmet kur bëhet fjalë për të drejtat dhe barazinë e grave.

”Mungesa e politikës kadrovike dhe planifikimit, e ka sjellur Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash në një situatë që pas shumë decenieve dhe pas pensionimit të gjinekologut, vendi i punës të mbetet i zbrazët, kështu që edhe për një kontroll më të vogël duhet shkuar në Prizren. Nuk është problem vetëm i kontrollit, por në shumë raste, edhe shërbimi dhe përcjellja e sëmundjeve të ndryshme, sikur edhe orientimi nga klinikat private, që janë tepër të shtrenjta. Por, e tërë kjo shton rrezikun nga moszbulimi me kohë i sëmundjeve të ndryshme dhe pasoja që rrjedhin nga to. Po të dërgonte Qendra Familjare dikë me kohë për specializim të gjinekologjisë, sot nuk do të kishim këtë problem dhe këtë situatë jonormale me të cilën po ballafaqohen mu gratë”, thotë ajo.

Drejtorit i Drejtoratit, Behar Brenolli thotë se ata nuk kanë problem me këtë.

”Pas largimit të doktoreshës Femije Bojaxhiu, ginekologes në spitalin tonë, ka mbetur vendi i zbrazët… Dy herë e kemi shpallur konkursin, por askush nuk është lajmëruar, për çka edhe është shkaktuar ky problem. Ne sërish do ta shpallim konkursin, por situata do të jetë e njëjtë”, ka thënë ai.

Brenolli thërret të gjithë gjinekologët e interesuar që të lajmërohen, që më në fund të mbyllet kjo kaptinë dhe të krijohen kushtet normale për këtë.

”Kam biseduar me përgjegjësit në Spitalin e Prizrenit, por edhe me deputeten Duda Balje, e cila ka premtuar se deri në pranimin e gjinekologut në Dragash, do të tentojë të sigurojë gjinekologun i cili do të vinte tre herë në javë, kështu që në një formë së paku minimale, atyre që kanë nevojë për shërim në gjinekologji, t’ju mundësohet në një formë alternative”, thotë kryetari i komunës Shaban Shabani.

Në Qendrën Mjekësore në Dragash ka edhe problem të tjera dhe mbetet shpresa se ato do të zgjidhen një nga një. Është i njohur fakti se në komunën e Dragashit është i shprehur problemi i migrimit drejt Perëndimit, por edhe drejt qyteteve të tjera të Kosovës, Prizrenit dhe Prishtinës, para se gjithash, kudo që mund të gjendet ndonjë vend pune.

Familjarët më të moshuara kanë më shumë nevojë për mjekë dhe përkujdesje shëndetësore. Ky proces i shkurtimit gradual të shërbimeve mjekësore, dalëngadalë por çon drejt centralizimit të shërbimeve, respektivisht që në të ardhmen për çfarëdo sëmundje shkohet në Spitalin e Prizrenit, pos nëse me shpenzime vetanake shkohet tek ordinancat private për t’i shmangur procedurat dhe vështirësitë që mund të lindin.