Ilmi Bahtijari, i lindur në fshatin Blaç, komuna e Sharrit ka rrjedhur nga një familje me tradita patriotike. Përplasjen e parë me pushtuesin serb, Ilmiu e kishte pasur qysh si nxënës I shkollës së mesme.

Si përkrahës i demonstratave të vitit 1981, Ilmiu përjashtohet nga shkolla për ta vazhduar të njëjtën në Prizren. Ilmiu armët i ka pasur shumë dëshirë. Lexonte shumë, sidomos literaturë historike, ndërsa dallohej si recitues shembullor.
Ai ka qenë shumë komunikativ, merrej me skeçe, ishte i hapur në bisedë, ka qenë i urtë, por ndaj padrejtësive ishte shumë i ashpër.Ilmiu ka qenë shtatë vite në Austri, prej vitit 1990 deri 1996. Dy vitet e fundit ishte në Zvicër. Në Perëndim është angazhuar në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat, që janë bërë në Zvicër e në Gjermani.

Ilmiu, është dënuar dy herë me burg. Në vitin 1998, ndër të parët ishte që i përgjigjet kushtrimit të atdheut. Për afro gjashtë muaj ishte në Gllogjan, në radhët e UÇK-së. Nga pjesëmarrja në luftime në Gllogjan, si luftëtar i njësitit me emrin “Shqiponjat e Zeza”, shokët ia dhanë pseudonimin “Oçalan”.

Ilmiu kthehet në Zvicër. Në janar të vitit 1999, Ilmiu fshehurazi kthehet në Kosovë. Policia i bie në gjurmë, e kërkojnë, dhe ai mezi arrin, që ilegalisht të kalojë në Austri. Në momentin kur nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u dha kushtrimi për mobilizim, Ilmiu ndonëse ishte aktiv në mbledhje të parave për luftë, u kthye sërish në radhët e UÇK-së, ku përmes Italisë erdhi në mënyrë të organizuar, më 2 prill 1999, në Durrës, prej nga shkon në Kolsh, dhe në qendrën stërvitore Papaj. “Oçalani” u bë i njohur për të gjithë. Ai ua mbante moralin të gjithë ushtarëve, duke kënduar e lexuar vargje frymëzuese.

Tre mijë ushtarë e njihnin dhe e mbanin në gojë emrin e tij.
Ditën para se të hynte në front afër Kosharës, Ilmiu gjeti një burim uji, të cilin e rregulloi vetë, për ta bërë të përdorshëm nga ushtarët tjerë. Shokët për këtë, këtij burimi ia dhanë emrin “Kroi i Oçalanit”. Ishte i pari Ilmi Bahtijari me shokët e tij Lulzim Veselin, Muharrem Mehmetin dhe disa tjerë që u lajmëruan të parët si vullnetarë, që të dalin në vijën e parë të frontit për t’u përballuar ballë për ballë me armikun.

Më 15 maj, brigada e tij sulmonte drejtë pozicioneve të ushtrisë serbe. Zhvillohej një luftë e rreptë edhe nga afërsia. Në ato momente fillojnë sulmet e NATO-s, serbët ikin në panik, Ilmiu vërsulet drejtë tyre. Pozicionohet në një ekskavator të armikut dhe fillon të godas me rafalë. Ato çaste aeroplanët e NATO-s, hidhnin predha në objektivat e parapara të tyre. Ata nuk e kishin llogaritur se “Oçalani” me shok i kishin detyruar serbët të largoheshin nga ato pozicione. Një predhë e godet edhe Ilmiun.
Në çastet para vdekjes Ilmiu ua lë shokëve amanet: “Armën time t’ia jepni djalit dhe kurrë të mos zbrazët”.

Ilmiu është varrosur më 15 maj, në “Varrezat e Dëshmorëve”, në Bajram Curr.
Rivarrimi i Ilmiut është bërë më 6 shtator 1999, në “Varrezat e Dëshmorëve”, në Sharr. Në këtë rivarrim madhështor, kanë marrë pjesë mbi 10.000 veta, nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare.

LAVDI DËSHMORIT ILMI BAHTIJARI!