Zyrtari i prokurimit në Komunën e Dragashit, Shenasi Qafleshi, ka deklaruar se kjo komunë nuk ka pasur kontratë për riparimin e automjeteve me kompaninë “Menti”, pronë e djali të drejtorit të Financave, Ahmet Bahtjari.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Financave Ahmet Bahtjari, si dhe dy zyrtarëve tjerë të komunës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, dëshmitari Shenasi Qafleshi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Mehdi Sefa, ka deklaruar se Komuna e Dragashit, ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve me kompaninë “DPZ-LML.COM”.

“Kjo kompani është përzgjedhur në bazë të vlerësimit të komisionit nga menaxheri i prokurimit dhe aprovuar nga ZKA”, ka deklaruar dëshmitari Qafleshi.

Ai ka thënë se komuna nuk ka pasur kontratë të rekomanduar përmes procedurave të tenderimit për servisimin e automjeteve me autoservisin “Menti”, pronë e Armend Bahtjarit, djalit të drejtorit Ahmet Bahtjari dhe se ai nuk e din se me çfarë baze ligjore ka vepruar ky autoservis.

Sipas tij, pagesat për shumat prej 1000 euro e më lartë, duhet të zbatohet procedura e tenderimit.

“Në rast se kemi në mënyrë periodike pagesa për një servisim e cila në fund të vitit tejkalon shumën prej 1000 euro, duhet t’i nënshtrohen procedurës së tenderimit, por stafi menaxhues i Komunës duhet të përgatitë specifikacionin nëse një procedurë e tillë përsëritet apo tejkalon shumën prej 1000 euro”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuari Ahmet Bahtjari, avokatit Valdet Hoxha, dëshmitari ka deklaruar se për shumën deri 999 euro, nuk është e obliguar procedura e prokurimit.

 

“Jo për shumat deri 999 euro nuk është e obliguar hapja e procedurës së prokurimit, ndërsa nëse përsëritet shumë herë brenda vitit atëherë po, duhet të zhvillohet procedura e tenderimit”, tha dëshmitari Qafleshi.

Ai tha se zotimi i mjeteve ka ardhur nga Ahmet Bahtjari, pasi që ai ka qenë zotuesi i mjeteve.

Në seancën e së hënës, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Nuro Ismaili, menaxher në zyrën e prokurimit publik, i cili duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Sefa, ka deklaruar se komuna ka pasur kontratë për servisim e automjeteve vetëm me “LML”

“Sa më kujtohet në vitin 2014, Komuna e Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin “Flamuri” nga Suhareka, pastaj në muajin janar apo mars të vitit 2015, Komuna ka zhvilluar procedurën e tenderimit e cila procedurë ka zgjatur rreth 20 ditë si zakonisht, por pasi që nuk ka pasur asnjë ofertë tenderi është shpallur edhe njëherë, dhe këtë herë si ofertues i vetëm për servisim është paraqitur operatori “LML”, ashtu që kemi kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nga Prishtina, të na lejohet nënshkrimi i kontratës vetëm me një operator, ku me 15 qershor 2015 kemi nënshkruan kontratën me afat 3 vjeçar”, ka thënë dëshmitari Ismaili.

Ai ka thënë se gjatë muajit janar-qershor 2015, ka qenë periudhë kur Komuna nuk ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve me asnjë kompani, dhe se sipas tij, zyra e prokurimit kishte lejuar servisimin e automjeteve në “Menti”, pronë e djalit të drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

 

“Në periudhën janar–qershor 2015 ka qenë një vakum kur Komuna nuk ka pasur kontratë për servisim me asnjë kompani, zyra e prokurimit ka lejuar servisimin e automjeteve tek servisi “Menti”, sa më kujtohet vlera e servisimit ka qenë 480 euro, nuk jam i sigurt ndoshta ka ndodh edhe njëherë apo dy herë tjera gjatë periudhës 3 vjeçare, nga kjo kompani të blejmë apo ndërrojmë ndonjë gomë të veturave zyrtare”, tha dëshmitari.

Sipas tij, kjo kishte ndodhur edhe me kompani të tjera varësisht prej llojit të gomave, për arsye se “LML” në atë periudhë nuk e ka pasur të paraparë edhe ndërrimin dhe furnizimin me goma.

Ai tha se pas nënshkrimit të kontratës me “LML” të gjitha shërbimet dhe servisimet e automjeteve sipas listës në kontratë është dashur të bëhen nga kjo kompani, me përjashtim të furnizimit dhe ndërrimit të gomave.

Para dëgjimit të dëshmitarëve palët në procedurë kanë dhënë fjalën hyrëse.

Prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se aktakuza ndaj të akuzuarve për veprat penale të përshkruara si në dispozitivin I dhe II është e mbështetur në prova, të cilat konsiderohen të pranueshme për gjykatën dhe gjatë shqyrtimit kryesor me administrimin e tyre, sipas tij, do të vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarve.

 

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Bahtjari, avokati Valdet Hoxha e ka kundërshtuar një pretendim të tillë të prokurorit, duke thënë se aktakuza lidhur me dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij, ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të konflikt i interesit nuk është mbështetur në prova dhe fakte të qëndrueshme.

 

Sipas avokatit Hoxha, prokurori nuk ka vepruar sipas nenit 48 të Kodit të Procedurës Penale, e cila e obligon prokurorin e shtetit që me kujdes dhe me vëmendje të njëjtë t’i analizoi dhe vlerësoi provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese.

Ai tha se një konstatim i tillë shihet edhe në arsyetimin e aktakuzës ku flitet për të dëmtuarin, e ai fare nuk propozohet si dëshmitar.

 

Kurse, i akuzuari Bahtjari e ka mbështetur fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij, duke mohuar se ka ndikuar apo nënshkruar urdhërpagesë për shërbimet e djalit të tij.

Dy të akuzuarit tjerë, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, në fjalën e tyre hyrëse kanë kundërshtuar pretendimet e prokurorit Sefa, duke thënë se të gjitha argumentet në aktakuzë dëshmojnë të kundërtën e asaj të cilën e thotë prokurori.

Ata kanë kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, që për seanca e radhës t’iu caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare, pasi që të njëjtit nuk janë në gjendje sigurojnë mbrojtës, pasi që janë pensionistë dhe me gjendje të dobët ekonomike.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 6 dhe 16 mars 2020, me fillim në ora 09:00.

 

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtjarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit.

 

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004, e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtjari.

 

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në

sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djali të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro.

 

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

 

Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtar të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragash.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi