Ndonëse luftuan në vijën e parë të frontit për t’ua shpëtuar jetën pacientëve të infektuar me koronavirus, shumë punonjës shëndetësorë u përballën edhe vetë me virusin që ka orgjinë nga Kina.

Fatkeqësisht, si pasojë e koronavirusit Kosova humbi disa nga luftëtarët më të mirë në betejën me armikun e padukshëm.

Që nga muaji mars kur u shfaqën rastet e para me koronavirus në vendin tonë, numri i punonjësve shëndetësorë të infektuar ka shkuar në 1,587 dhe nga kjo shifër 561 janë mjekë.

Aktualisht në vetizolim ndodhen 40 mjekë, ndërsa 5 nga ta janë të hospitalizuar.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura për Gazetën Express, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Sipas të dhënave zyrtare të datës 3.10.2020, numri i punëtorëve shëndetësorë të infektuar është 1,587 dhe nga ta janë 561 mjekë. Prej tyre rreth 40 janë ende në vetizolim dhe 5 raste jane të hospitalizuar. Të vdekur janë 8 mjekë”, tha Sejdiu në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.