Prishtinë – Deputeti i Kuvendit të Kosovës, që përfaqëson Nismën Socialdemokrate, është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për sulmin që pretendohet se i ka bërë gazetarit të portalit “Indeksonline” Ensar Ramadani, më 17 dhjetor 2019.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10.02.2020, ka ngritur Aktakuzë ndaj personit me inicialet E.Sh.,  në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Rasti kishte ndodhur mbrëmjen e së martës së 17 dhjetorit, para hyrjes së Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë kishte qenë duke qëndruar pas plagosjes së një bashkëpartiaku të tij nga Nisma Socialdemokrate.

Disa fotografi që kishte shkrepur gazetari i portalit “Indeksonline”, kishin irrituar ish-ministrin Shala, i cili pastaj kishte sulmuar atë.

Për këtë rast, në media ishin publikuar edhe pamjet e këtij sulmi.

Ndërsa reagim kishte bërë edhe Asociacioni i Gazetareve të Kosovës (AGK), të cilët kishin dënuar ashpër sulmin e Shalës, ndaj gazetarit Ramadani.

“AGK dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e insitucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve. AGK në të njëjtën kohë inkurajon kolegët gazetarë që të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre dhe të mos ndalen para asnjë sulmi e kërcënimi”, thuhej në një pjesë të këtij reagimi.

Ndryshe, përpos këtij rasti, Shala është ballafaquar edhe më herët me institucionet e drejtësisë.

Ai ishte akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion, në rastin e njohur si “MTPT” dhe për gjuajtje me armë.

Lidhur me rastin e njohur si “MTPT” Shala ishte liruar nga akuzat më 24 nëntor 2017, ndërsa pas këtij vendimi, ai në një festë të organizuar, kishte gjuajtur me armë, për të cilën vepër e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 2,400 euro gjobë.

Të dy këto vendime tashmë kanë marrë formën e prerë. /BetimipërDrejtësi