Komuna e Dragashit dhe Caritasi Zviceran nënshkruan marrëveshje bashkëfinancimi për promovimin e prodhimtarisë bujqësore
Është nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi mes komunës së Dragashit dhe Caritasit Zviceran (CaCH), që parasheh bashkëfinancimin rreth promovimit të prodhimtarisë bujqësore në Dragash, ngritjes së sipërfaqeve të kultivuara dhe certifikimin e fermerëve. Kjo marrëveshje bashkëfinancimi, u nënshkrua nga kryetari i komunës z.Shaban Shabani dhe Zëvendës Drejtori për Kosovë i Caritasit Zviceran, z.Kreshnik Basha. Në bazë të kësaj marrëveshje, Caritasi do të zbatojë projektin “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale – PASURI” duke synuar përmirësimin e kushteve jetësore të fermerëve, rritjen e gjenerimit të hyrave dhe prodhimin bujqësor në komunën e Dragashit.
Qëllimi i skemës së grantit është të mundësojë mbështetjen financiare për fermerë qe merrën me kultivimin e frutave manore, bimëve mjekësore dhe prodhimin e mjaltit. Skema standarde e grantit ka një përqindje prej 50%-35%-15% ose 50% të mbuluara nga Caritasi, 35% nga komuna dhe 15% nga fermerët.
Ky model është një mundësi unike për fermerët për të zhvilluar dhe kultivuar produktet bujqësore në Kosovë dhe ka një qasje të orientuar nga tregu që vjen si rrjedhojë e kërkesave të tregut dhe të trendëve.
Qëllimet kryesore të projektit janë promovimi dhe prodhimi frutave manore, mjaltit, bimëve mjekësore dhe frutave aromatike (BMFA). Mandej certifikimi i fermerëve me standardet organike të prodhimit për kultivuesit e BMFA, edukimi, trajnimi dhe ngritja e vetëdijes së fermerëve për prodhimtarinë bujqësore, si dhe themelimi i zinxhirit të vlerave për kultivuesit. Përndryshe kjo marrëveshje është paraparë të zgjasë për periudhën një vjeçare, me mundësi vazhdimi.