
Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Dragashit po vazhdojnë. Banorët e fshatit Brezne raportojnë për TVPrizreni se disa lagje kanë mbetur krejtësisht pa ujë, ndërsa në zona të tjera furnizimi është i kufizuar vetëm gjatë ditës.
Në reagimin e tyre publik, banorët kanë shprehur pakënaqësi të thellë: “…Mungesa e ujit po na e vështirëson çdo ditë jetën. Ajo që duhet të jetë një e drejtë elementare, sot për banorët tanë është bërë ankthi më i madh i përditshëm.” Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke theksuar se nuk duan arsyetime, por zgjidhje konkrete.
Më 24 gusht, Lëvizja Vetëvendosje! në Sharr kishte reaguar duke paralajmëruar se kriza e ujit tashmë është shtrirë edhe në fshatra të tjera si Bllobrad, Zgatar, Brrut dhe disa vendbanime të Gorës që furnizohen nga sistemi i ri i ujësjellësit. Ata kërkuan nga Komuna dhe institucionet përgjegjëse sqarime për gjendjen e sistemit, arsyet e përsëritjes së problemit dhe afatet e normalizimit të furnizimit.
Situata e raportuar në Breznë dhe reagimet e njëpasnjëshme të banorëve po e rikthejnë në vëmendje krizën e ujit në Dragash.
©TVOPOJA