
Fehim Sali është arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit, në kuadër të një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas raportimeve të Indeks Online, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA), ndërsa dyshohet se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e kësaj agjencie, Zhelimir Matoviq.
Sali punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit. Më herët, ai ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Sipas të njëjtave raportime, ai dyshohet se është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet gjithashtu se ka qenë i angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Rasti është duke u trajtuar nga institucionet kompetente, ndërsa dyshimet e ngritura ndaj të arrestuarit do të jenë objekt i procedurave të mëtejshme ligjore.
Burimi: Indeks Online