Ambasadori i Sllovenisë viziton Dragashin, mbështetje për projektin “Të Drejtat tona”

Arsim5 hours ago32 shikime

Dje, në zyrën e Kryetarit të Komunës së Dragashit, u mirëprit Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, z. Borut Blaj, i shoqëruar nga përfaqësues të projektit “Të Drejtat tona” nga Instituti për Promovimin e Edukimit (IPEDU) dhe inspektori rajonal i arsimit nga MASHTI.

Gjatë takimit u diskutua për rezultatet dhe rëndësinë e projektit, i cili synon edukimin e fëmijëve mbi të drejtat e tyre dhe promovimin e vlerave demokratike, respektit dhe bashkëjetesës. Ambasadori u njoftua edhe për sukseset, sfidat dhe vështirësitë e qeverisjes lokale.

Më pas, në sallën e Kuvendit të Komunës së Dragashit u mbajt ceremonia solemne e ndarjes së certifikatave për mësimdhënësit dhe trajnerët që përfunduan me sukses trajnimet në kuadër të projektit. Rreth 90 mësimdhënës nga komunitete të ndryshme janë trajnuar dhe do të vazhdojnë të përcjellin njohuri te gjeneratat e reja mbi të drejtat e njeriut dhe qytetarinë demokratike.

Komuna e Dragashit, si një mjedis shumëetnik, e vlerëson lart çdo projekt që promovon mirëkuptimin, respektin reciprok dhe barazinë mes qytetarëve, duke e bërë këtë komunë një shembull të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit.

U shpreh mirënjohje e veçantë për Ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Kosovë dhe IPEDU për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për mësimdhënësit e certifikuar që me përkushtimin e tyre po kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të ndërgjegjshme për të drejtat e secilit.

© TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...