
Në kuadër të Garave Ndërkombëtare të Kuranit Famëlart, të organizuara nga Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Muhamed Elmazi nga fshati Bresanë arriti të zërë vendin e tretë në kategorin e tij, duke u renditur ndër më të mirët në mesin e 146 garuesve nga 22 vende të Ballkanit dhe Evropës.
Ky kompeticion i nivelit të lartë u zhvillua në Prishtinë, ku përfaqësues të vendeve të ndryshme garuan në leximin dhe recitimin e Kuranit Famëlart. Me një përgatitje të shkëlqyer, përkushtim dhe zë të qartë, Muhamedi spikati për interpretimin korrekt sipas rregullave të texhvidit, duke i sjellë jo vetëm lavdi vetes, por edhe komunitetit të tij në Opojë.
Muhamedi është produkt i përkushtimit familjar dhe edukimit fetar që e ka ndjekur prej fëmijërisë. Ai ka qenë vijues i rregullt në mejtepin e xhamisë së re të fshatit Bresanë dhe aktualisht vijon shkollimin në Tiranë për të avancuar në mësimin dhe kuptimin e thellë të Kuranit. Suksesi i Muhamedit nuk është rastësi. Ai vjen nga një familje e përkushtuar ndaj dijes dhe vlerave të fesë. Dr. Hanefi Elmazi, babai i Muhamedit, dikur vetë nxënës shembullor në mejtepin e xhamisë së vjetër të Bresanës gjatë viteve ’90, ka ndikuar dukshëm në rrugëtimin shpirtëror dhe intelektual të fëmijëve të tij. Përveç Muhamedit, edhe motrat dhe vëllau i tij – janë të njohur për aftësitë e tyre në mësimin e Kuranit dhe praktikimin me korrektësi të rregullave të tij.
Ky sukses nuk është thjesht një trofe për një të ri nga Bresana – është një dritë frymëzimi për gjithë rininë tonë. Muhamed Elmazi me përkushtimin, dijen dhe moralin që e karakterizon, është shembull i gjallë i asaj se si mbështetja familjare, edukimi fetar dhe përkushtimi personal sjellin rezultate të mëdha.
Televizioni Opoja e përgëzon përzemërsisht Muhamed Elmazin për këtë arritje të çmuar dhe i uron suksese të shumta në rrugëtimin e tij të ndritur drejt dijes dhe përkushtimit fetar.
©TVOPOJA