Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është promovuar të mërkurën (2 dhjetor 2021) libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912) sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman”, libri më i ri i historianit opojan dr. Sadik Mehmeti, të cilin e ka shkruar në bashkautorësi me Hatixhe Ahmedin dhe Ramadan Shkodrën. Libri është botuar në edicion të shtëpisë botuese “Dituria Islame” e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në këtë promovim krahas një numri të madh të personaliteteve kulturore e intelektuale, morën pjesë edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ministri i Kulturës, rinisë dhe sportit, Hajrulla Çeku, atasheu në ambasadën e Turqisë në Kosovë, drejtori i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, profesorë e studiues të Universitetit të Prishtinës, dhe përfaqësues të mediave.
“Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, por është e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në të cilën përfshihen dhe ndriçohen, – biografitë e 195 personaliteteve shqiptare që kanë dhënë kontribut në jetën arsimore, kulturore dhe fetare gjithandej ku vepruan, pra edhe në viset shqiptare në fundin e shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX”, u vlerësua ndër të tjera nga folësit në këtë promovim.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha që kjo monografi është një projekt i cili ka ndriçuar veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare të panjohura deri më tani që kanë vepruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndërsa, ministri Çeku në fjalimin e tij ka folur për rëndësinë që kanë hulumtimet e tilla për kulturën, trashëgiminë, arsimin dhe historinë e vendit tonë, ndërsa përgëzoi autorët për punën dhe përkushtimin rreth pasqyrimit të biografive të personaliteteve të shquara të dijes nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas ministrit Çeku, studime të tilla kanë vlerë të madhe për kulturën, trashëgiminë, arsimin dhe historinë e popullit shqiptar.
Për vlerat e këtij libri kanë folur drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri Bajgora, si dhe historiani i shquar prof. dr. Memli Krasniqi.
Në fund të promovimit, dr. Hatixhe Ahmedi, në emër të autorëve të veprës, ka falënderuar BIK-un si dhe të gjithë ata që kishin kontribuuar në forma të ndryshme, që kjo vepër të botohet sa më e kompletuar.

Vlen të theksohet se në mesin e 200 dijetarëve shqiptarë të kësaj periudhe të përfshira në këtë libër, është edhe dijetari i mirënjohur opojan Haxhi Rexhep ef. Ismaili (1871-1957) nga Bresana.
Dr. Sadiku është profesor universitar dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912)” është libri i nëntë i tij.
Ta urojmë të gjithë: Urime dr. Sadik. Edhe shumë libra të tjerë! (D. Reshiti)