Dragash – Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që në Gjykatat Themelore të Kosovës dhe degët e tyre të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, si masë mbrojtëse nga koronavirusi, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash nuk ka pasur asnjë rast të tillë.

Mbikëqyrësja e degës në Dragash, gjyqtarja Sabaheta Kurteshi ka thënë se gjatë këtyre tre ditëve, 16,17 dhe 18 mars, nuk ka pasur asnjë rast të natyrës urgjente dhe nuk është mbajtur asnjë seancë e procedurës paraprake.Kurteshi, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve nuk është pranuar as ndonjë lloj shkrese dhe se dega të cilën e udhëheqë ka marrë të gjitha masat mbrojtëse, të sugjeruara nga KGJK.

“Jam duke kujdestaruar si gjyqtare e vetme, ndërsa në gjykatë gjatë gjithë kohës është duke qëndruar roja e sigurimit. Pjesa tjetër e stafit janë në shtëpi, mirëpo në rast nevoje unë i komunikoj ata dhe nëse duhet do të prezantojnë edhe fizikisht, me ndërrime”, ka thënë ndër të tjera gjyqtarja Kurteshi.Përndryshe në Komunën e Dragashit akoma nuk ka asnjë të dyshuar apo të prekur me virusin Covid-19. /BetimipërDrejtësi