
Një debat i ashpër dhe i gjerë publik ka shpërthyer në Komunën e Dragashit, duke përfshirë akuzime të ndërsjella mes kryetarit të Komunës, Bexhet Xheladini, dhe një sërë figurash e subjektesh politike. Gjithçka nisi pas publikimit të një shkrimi nga i vetëquajturi kryetar i Komunës së Gorës, Safet Kushi, i cili u shpërnda nga ish-drejtori i Kulturës, Muharrem Qafleshi. Reagimi i Xheladinit, i cili kritikoi shpërndarjen dhe akuzoi autorin për dezinformim, shkaktoi një reagim zinxhir. Përplasja u thellua më tej me një koment të kryetarit që u konsiderua denigrues ndaj grave, duke nxitur reagimin e ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Situata kulmoi me përgjigje publike nga vetë Qafleshi, Kushi, si dhe një reagim zyrtar të ashpër nga dega e PDK-së, të cilët akuzuan Xheladinin për mungesë transparence dhe mbytje të fjalës së lirë.
Zanafilla: Shkrimi i Safet Kushit dhe shpërndarja nga Opoja Piktoreske
Tensioni publik mori shkas nga një tekst i publikuar në faqet “Safet gradonacalnik Kusi” dhe “Ujedinjena Gors”, shkruar nga i vetëquajturi kryetar i Komunës së Gorës, Safet Kushi, në të cilin ai heq një paralele mes zhvillimeve politike në Serbi dhe atyre në Komunën e Dragashit. Në shkrimin e tij ironik, Kushi sugjeronte se me rënien e Vuçiqit në Serbi, pushteti i tij edhe në Dragash do të lëkundej, duke iu referuar “përfaqësuesve konsullorë” në Gorë e Opojë.
Ky tekst u shpërnda nga faqja “Opoja Piktoreske” e menagjuar nga Muharrem Qafleshi, ish-drejtor i Kulturës në Dragash nga radhët e LDK-së dhe profesor historie, gjë që provokoi një reagim të menjëhershëm dhe të gjatë nga kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kryetari Xheladini e cilësoi të papranueshme shpërndarjen e këtij shkrimi. Ai akuzoi drejtpërdrejt Kushin për të kaluarën e tij politike, duke i kujtuar marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Komunës së Gorës dhe pretendimet e këtij të fundit si i vetëquajtur kryetar komune, si dhe kërkesat që Aleksandar Vulin të shpallej qytetar nderi i Gorës. Xheladini e quajti Kushin një person që vazhdimisht publikon dezinformata kundër tij.
Në të njëjtin postim, Xheladini goditi edhe Qafleshin, duke u shprehur se ata që i pëlqejnë ose shpërndajnë këto shkrime “janë politikisht të verbër”. Ai i cilësoi publikimet e Qafleshit dhe të Izet Aliut, një tjetër figure kritike, si një “fushatë dezinformuese” që, sipas tij, vetëm sa e ka rritur përkrahjen e tij në publik.
Situata u tensionua edhe më tej nga një koment në postimin e kryetarit. Një qytetar shkroi: “Kryetar, grahi punës. Thashethemet e kota janë për granimin”, një shprehje lokale që lidh thashethemet me gratë. Kryetari Xheladini u përgjigj duke u pajtuar: “Mirë e ke…”
Ky shkëmbim nxiti reagimin e menjëhershëm të Afrore Vejseli Rrahmani, kryetare e Grave për VETËVENDOSJE! në Sharr dhe asambleiste e kësaj partie. Ajo e dënoi ashpër gjuhën e përdorur, duke e cilësuar si stereotip denigrues dhe përçmim ndaj grave që po merr miratimin e kreut të komunës. “Në vend që ta kundërshtojë këtë stereotip, kryetari e pohon atë. Ky është një qëndrim i papranueshëm nga dikush që ka përgjegjësi t’i përfaqësojë të gjithë,” u shpreh ajo, duke kërkuar një distancim dhe falje publike nga Xheladini.
Nuk vonoi as kundërpërgjigja e Muharrem Qafleshit. Në një reagim të detajuar, ai deklaroi se u përqendrua te përmbajtja e shkrimit të Kushit, e cila, sipas tij, ngrinte akuza serioze ndaj pushtetit lokal. “Pse, Bexhet Xheladini, shqetësimi yt përqendrohet te personi që shpërndan një shkrim dhe jo te përmbajtja e akuzave?” e pyeti ai publikisht.
Qafleshi renditi një sërë çështjesh për të cilat pretendon se kryetari Xheladini nuk ka dhënë llogari, duke i mbështetur në dokumente të pretenduara zyrtare:
Çështja penale e 1993: Një aktgjykim i Gjykatës së Qarkut në Prizren, ku, sipas Qafleshit, Xheladini u lirua nga prokurori publik, ndërsa të tjerë u dënuan me burg për “cenim të tërësisë territoriale”, dhe pretendoi se dokumenti flet për organizim shëndetësor për formacione paraushtarake.
Zotimi me LVV-në: Marrëveshja e balotazhit të vitit 2021 me LVV-në, për të cilën Qafleshi tha se u shkel porsa u sigurua shumica.
“Tenderi i furrtarit”: Akuzat për procedura të dyshimta prokurimi, ku kontrata thuhet se është nënshkruar në ditën e njëjtë kur palët raportohet të kenë qenë jashtë vendit (në Austri).
Rasti “Qerkin Krasniqi”: Akuza për keqtrajtim të këtij qytetari.
Qafleshi theksoi se kryetari duhet t’i përgjigjet këtyre akuzave me fakte e dokumente, e jo me etiketime, duke përfunduar me ironinë se Xheladini akuzon të tjerët për bashkëpunim me Kushin, ndërsa vetë paska fotografi miqësore me të në Zvicër.
Edhe i vetëquajturi kryetar i Komunës së Gorës, Safet Kushi, iu kundërpërgjigj Xheladinit, duke thënë se nuk ka asgjë për të fshehur nga e kaluara e tij dhe kujtoi se dikur vetë Xheladini kishte kërkuar mbështetjen e tij, duke sfiduar kryetarin të publikojë fotografitë nga takimet e tyre të përbashkëta.
Një qëndrim të ngjashëm e mbajti edhe asambleisti i LVV-së, Uran Halimi. “Kryetar, parimet nuk mund të ndryshojnë sipas interesit të ditës!” deklaroi Halimi, duke kërkuar gjithashtu llogari për takimin në Zvicër dhe për bashkëpunimin me partitë e komuniteteve, konkretisht me JGP-në e Adem Hoxhës.
Në fund, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Dragash doli me një deklaratë zyrtare të ashpër. PDK dënoi qasjen e kryetarit ndaj kritikave dhe lirisë së shprehjes, duke e quajtur reagimin e tij të papranueshëm. “Bexhet Xheladini duhet ta kuptojë njëherë e mirë se posti i kryetarit nuk është privilegj për të imponuar heshtje, as instrument për t’i frikësuar ata që nuk pajtohen me të,” thuhet në reagim. Subjekti opozitar kërkoi nga kryetari që të demantojë akuzat me fakte dhe dokumente, dhe jo me etiketime ndaj kritikëve.
Ky konflikt verbal përmes rrjeteve sociale, që preku tema nga e shkuara politike deri te transparenca e prokurimit dhe gjuha seksiste, dëshmon për një politike mjaft të tensionuar në Dragash.
©TVOPOJA