Të nderuar qytetarë,

Duke qenë e gatshme çdo herë për transparencë dhe llogaridhënie, Komuna e Dragashit e konsideron të nevojshme të sqarojë për opinionin publik se reagimi i Degës së PDK-së në Dragash lidhur me emërimin dhe punësimin e disa zyrtarëve në institucione publike është krejtësisht i pabazuar dhe jo i vërtetë.

Pretendimi se drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Dragashit ka emëruar familjarin e tij në një pozitë publike është i pavërtetë dhe i palogjikshëm. Emërimi i Zyrtarit për Marrëdhënie me Publikun bëhet drejtpërdrejt nga kryetari i komunës, pa procedura të konkursit dhe është brenda fushës së kompetencave të tij. Komuna e Dragashit e konsideron krejtësisht të ligjshëm dhe legjitim emërimin e z.Fari Kolloni zyrtar për Marrëdhënie me Publikun, meqenëse i njëjti ka qenë i angazhuar në aktivitete politike dhe publicistike, dhe ka përvojë dhe aftësi profesionale për ushtrimin e pozitës së caktuar.

Gjithashtu, sa i përket pranimit të znj.Luljeta Kryeziu si eksperte në përbërjen e Komisionit për Intervistim të kandidatëve që konkurojnë të punësohen në administratën komunale, e jo në arsim, ritheksojmë se procedura e përzgjedhjes së saj në këtë pozitë është e bazuar mbi parime ligjore dhe meritokratike.

Për rastin Kryemotrës në QKMF-Dragash, i bëjmë me dije opinionit publik se është pozitë të cilën aktualisht e ushtron motra e cila ka tashmë 22 vite përvojë pune profesionale në QKMF dhe me caktimin e saj si U.D. të Kryemotrës, situata e përgjithshme në QKMF- Dragash ka shënuar përmirësim të dukshëm. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për punësim, por për avancim në pozitë udhëheqëse.

Komuna e Dragashit do të angazhohet në vazhdimësi në ngritjen e kapaciteteve profesionale, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve publike lokale, të cilat kanë për qëllim t’u shërbejnë me përgjegjësi dhe efikasitet qytetarëve, si dhe të kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme të tyre.